AlbanianSport.com 25/10/2018 18:55
ASNN – Perezi po pret disfatën e radhës të Realit, që të shkarkojë Lopetegin dhe të emërojë Antonio Konten. Trajneri italian, Antonio Konte, ka zgjidhur në mënyrë përfundimtare kontratën me klubin e Çellsit , duke pasur objektiv tashmë marrjen e drejtimit të Realit të Madridit. Madje mediat italiane dhe ato spanjolle shkojnë më tej në teoritë e tyre të komplotit.
Ato thonë se mes Kontes dhe presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, është arritur kompromisi dhe të dy po presin të ndodhë disfata e radhës e Realit që trajneri italian t’i zërë vendin. Sipas informacioneve, të gjithë në klubin madrilen, pjesa e drejtuesve, presin një frenim në derbin “El Clasico” me Barcelonën për të shkarkuar Lopetegin dhe për të emëruar Konten në krye të “Los Blancos”.
E vërteta është se në garë për të zëvendësuar Lopetegi është dhe trajneri argjentinas i Totenhemit, Mauricio Poketino, por nuk shihet aq favorit sa Konte. Madje, lëvizja e fundit e italianit për të prerë marrëdhënien kontraktuale me Çellsin është dëshmi e qartë se ai po bëhet gati të marrë “timonin” e Realit të Madridit.