AlbanianSport.com 19/10/2018 07:55
ASNN – Kroati Luka Modriç ka gjasa të thyejë dominimin 10-vjecar për “Topin e Artë” të Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos. Ndërkohë, mesfushori i Realit e ka hedhur poshtë atë që është shkruar në media se ai ka prishur miqësinë me Kristiano Ronaldon. Madje, Modriç thotë se ruan miqësi me portugezin dhe i dërgon atij mesazhe dhe tek Juventusi ku ndodhet aktualisht.
Arritjet e këtij viti kanë qenë spektakolare për kroatin, duke nisur nga titulli i Ligës së Kampioneve me Realin e deri tek finalja e Botërorit me Kroacinë. Megjithatë, Modriç është modest në qëndrimin e tij. edhe pse rival, ai e quan Lionel Mesin lojtarin më të mirë në histori, një konstatim që mund ta bëjë armik me Ronaldon. Por kroati është kujdesur që të mos prishë qejfin me asnjërin.
Ai deklaron se sado që ka respekt për Mesin, nuk ka për të luajtur asnjëherë me të dhe se do të jenë kundërshtarë, ndërsa për votën thotë se ia jep Ronaldos se e ka shok. “Kaluam 6 vite të mrekullueshme me Ronaldon në Madrid, ku zhvilluam një miqësi dhe respekt të ndërsjellë, – tha “dirigjenti” kroat. – Tani që ka ikur, ne kemi mbetur në kontakt dhe shkëmbejmë mesazhe.”
“Edhe pse disa njerëz thonë se nuk është kështu, mund të them se ne ende e ruajmë miqësinë e mire. Mesi? Ai është padyshim një nga më të mirët në histori, por unë kurrë nuk do të luaj me të, unë jam kundërshtar i tij”, – ka përfunduar mesfushori i Realit të Madridit, Luka Modriç.