AlbanianSport.com 02/04/2019 19:20
ASNN – Garat e makinave në Formula 1 ngjallin emocion të veçantë dhe është një prej sporteve më të ndjekur. Padyshim, revolucioni teknologjik me makinën, por edhe zgjedhja e pilotëve më të mirë të japin shanse për sukses dhe në botën e Formula 1 ka gjithmonë vend për spektakël dhe surpriza. “Ferrari” ishte i pafat në garën e Bahreinit dhe pavarësisht se e nisi nga vendet e para, arriti të marrë vetëm një vend të tretë dhe të pestë në fund, pasi Feteli thuajse dështoi, kurse Lëklërkun e ngadalësoi motori.
Sukseset më të mëdha skuderia italiane i ka arritur me pilotin gjerman Mikael Shumaker, i cili prej disa vitesh ndodhet në koma si pasojë e aksidentit të ndodhura gjatë një ekskursioni me ski në alpet franceze. Por familja Shumaker ka një pasues të Mikaelit, është djali i tij Mik, i cili, njëlloj si babai i tij, ka pasion makinat dhe momentalisht ndodhet në Formula 2, ku është pjesë e skuderisë së Ferrarit. Madje për “kokëkuqen” italiane ishte një ditë historike dje, sepse djali i Shumakerit, Miku, nisi testet në pistën e Bahrenit. Ishte një emocion i fortë jo vetëm për djaloshin 20-vjeçar, por edhe për krejt stafin e Ferrarit, përfshi mekanikët dhe zyrtarët.
Pas 10 vjetësh, në kokëkuqen italiane hipën djali i legjendës së Formula 1, duke bërë testet me supermakinën që ka magjepsur botën e autobmobilizmit me elegancën dhe shpejtësinë e saj. Shumakeri i ri shfaqi qëndrueshmëri, besim në vetvete dhe intuitën e Shumakerit të vjetër dhe specialistët mendojnë se ai do të dalë shpejt në Formula 1 si një kampion i madh. Kujtojmë, së fundmi, se Shumakeri i ri ka zgjedhur të përfaqësohet me numrin 29 dhe beson se mund të përsërisë suksesin e babait të tij.