Gjergj Vyshka 13.01.2015 13:05
Dinamo ka zyrtarizuar miqësoren e saj të parë të periudhës përgatitore dimërore, teksa të mërkurën, në fushën me bar artificial të ish-kompleksit blu, do të ketë përballë Kamzën. Të paktën edhe sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, kjo ndeshje do të luhet në orarin stërvitor të dinamovitëve, që do të thotë në ora 13:00.
Nuk duhet harruar se të shtunën Dinamo do të ketë dhe miqësoren e luksit ndaj Tiranës, ndërsa deri më 7 shkurt, kohë në të cilën do të nisë dhe pjesa e dytë e sezonit Dinamo do të bëjë dhe ndeshje të tjera përgatitore, të cilat do të jenë kryesisht me ekipe të Kategorisë së Parë dhe të Dytë.
E kjo në kushtet kur më 24 janar, Kategoria Superiore nis fazën e saj të tretë. Ndërkohë Dinamo, jo vetëm në kohë pushimi të kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares, por dhe kur është pauza mes fazave, apo dhe në prag të sezonit, i ka të zakonshme ndeshjet me Kamzën.
Një të tillë e ka pas luajtur pas javës së dytë të kampionatit, teksa u rehabilitua psikologjikisht pas barazimit në “Selman Stërmasi”, 1-1 me Naftëtarin, sepse fitoi pikërisht 3-0 ndaj Kamzës në fushën e kësaj të fundit. Kësisoj Dinamo tashmë ka bërë gati dy miqësoret e para, të mërkurën ndaj Kamzës dhe të shtunën ndaj Tiranës.