Gjergj Vyshka 21.10.2014 07:55
Dinamo e ka nisur javën e përgatitjes për ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë ndaj Apolonisë në Fier, por dhe me Lushnjën në “Selman Stërmasi” për kampionat, përsëri në kalçeto. Është një “avaz” që vazhdon të përsëritet prej dyjavësh, ndërsa të hënën dhe të martën fusha me bar artificial e ish-kompleksit Dinamo është e pushtuar nga Kupa “Coca-Cola”.
Një aktivitet i Federatës Shqiptare të Futbollit me fëmijët e kryeqytetit. Por Dinamo i ka të ngushtuara zonat, sepse pasdite bëjnë stërvitjet ekipet e Akademisë së Futbollit Dinamo, apo dhe skuadra të tjera moshash. Madje të ngushtuara hapësirat e stërvitjes nuk janë vetëm për ekipin e parë të Dinamos, por dhe për moshat, të cilat bëjnë stërvitje në mbrëmje në ora 21:00 pa pasur shikimin e plotë të fushës për atë që duan të bëjnë.
Përtej kësaj, e quajtur ndryshe një denigrim, e pse jo dhe një persekutim i Dinamos, blutë e Mehmetit kanë ardhur me pasoja nga ndeshja me Sopotin, të cilën e kanë barazuar 2-2 në vizitën cërrikase.