AlbanianSport.com 13/01/2024 17:40
ASNN – Skuadra e tij ka pësuar humbjen e 9-të në këto 19 javë të para të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe të 3-të në 5 ndeshjet e fundit, e për më tepër, duke e nisur vitin 2024 me një humbje dhe kundër një rivali historik si Tirana, dhe, duke i mbetur besnik natyrës së tij, Dritan Mehmeti nuk pranon të fshihet pas shfajësimeve. Dhe trajneri i Dinamos i thotë gjërat troç, edhe pse, për momentin, stoli i tij nuk është i sigurt. “Ka shumë punë për të bërë sa i përket fazës difensive në bllok”, – ka pohuar ai pas humbjes të premten në mbrëmje.
“Pjesa e sulmit duhet të ishte shumë më agresive në fazën mbrojtëse, por të ishte edhe më shumë ekuilibër kur humbnim topin, – ka vijuar Mehmeti. – Janë situata që duhet të ulemi e punojmë fort, se merkato e janarit nuk na lejon shumë të gjejmë elementë të na shërbejnë se kemi nevojë urgjente. Duhen patjetër, hyrja e sulmuesit dhe dy mesfushorëve, duhet që të jemi më të qetë e sigurt për të vazhduar këtë kampionat shumë të vështirë. Dy hyrje në mesfushë dhe një sulmues që të kemi të dubluar të gjitha pozicionet që t’ia dalim dhe ndryshojmë formë e kthehemi te rezultatet e mira që kemi pasur.”
“Karramba është 18-vjeçar i talentuar dhe me Fakiçin jemi në bashkëpunim, por jemi në kërkim të një mesfushori, – ka vijuar trajneri i Dinamos. – Lojtarët e tjerë që kanë ardhur përveç Jankut, janë në mbrojtje dhe anësorë. Jemi në kërkim të mesfushorit, është e vështirë të gjesh një lider se në atë linjë kemi vetëm Andonin me përvojë, pjesa tjetër janë të rinj që duan patjetër kohën dhe përshtatjen. Në të tilla ndeshje duhet të kesh personalitet dhe t’i administrosh këto ndeshje. Sa u përket golave të pësuar, vjen si skuadër dhe nuk e pëson vetëm mbrojtja, duke mos pasur një mesfushë solide dhe filtri lart i sulmit të jetë në markim, skuadra duhet të mbrojë në bllok.”
“Por sot golat e pësuar ishin nga vetëkënaqësia dhe gabimet individuale, që humbëm ndeshjen, sidomos menaxhimi i lojtarëve me përvojë, duhej të ishin shumë më të kujdesshëm e merrnin më shumë përsipër në disa situata të ndeshjes, – ka këmbëngulur kreu i stolit të të kaltërve. – Nuk them se janë pa personalitet, kam nevojë për lojtarë me më shumë përvojë në linjat e mesfushës. Ata që ishin sot, nuk arritën të menaxhonin rezultatin. Të kesh vetëm Andonin dhe pjesa tjetër që janë sulmues, duhen patjetër edhe dy të tjerë që të kesh siguri e menaxhosh lojën që të përballesh me Tiranën me cilësi në atë pjesë të fushës.”
“Sa i përket diferencave, kemi në disa elementë, por kemi edhe të talentuar në krahasim me skuadrat e tjera. Dinamo ka elementë shumë të mirë, por ka edhe disa pozicione që nuk janë lojtarë që bëjnë diferencën dhe kemi boshllëqe sa i përket sulmit dhe në mesfushë. Kur nuk e ke skuadrën në ekuilibër, sidomos në boshtin e skuadrës, që mendoj se është një nga pikat kyçe… Sa i përket tranzicionit që ka pësuar Dinamo dhe momentit që e kam marrë unë, në janar kanë ardhur vetëm Janku, Bamba e Meksi dhe duhen patjetër që të vijnë edhe lojtarët në mesfushë dhe sulm”, – ka përfunduar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.