Gjergj Vyshka 14.12.2014 15:15
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme kjo me Luftëtarin, – ka deklaruar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, pas fitores me gjirokastritët. – Jo se në të tjerat nuk kemi prodhuar lojë dhe kjo ka ndodhur si me Bylisin, si me Butrintin, ashtu dhe me Pogradecin. Por kemi humbur shumë raste.”
“Kjo ka ndodhur dhe sot, ndërsa terreni i vështirë e ka vështirësuar dhe lojën tonë, aq më tepër që jemi një skuadër teknike, – ka vijuar ai. – Mirëpo vuajmë shumë për “lojtarin-gol”, pasi shkojmë deri në portën kundërshtare dhe më pas nuk e gjejmë dot momentin final për të shtyrë topin në rrjetë.”
“Megjithatë më duhet t’i falënderoj lojtarët për atë që dhanë, – ka theksuar kreu i pankinës së bluve kryeqytetas. – Shpresojmë që deri në fund të fazës të kemi dhe pikë të tjera, ndonëse me këto terrene të vështira do të jetë më shumë se sa problem. Sepse dhe kondicioni fizik nuk vjen duke u rritur.”
“Nuk dua të merrem me gjyqtarët, por të paktën nga tre raste për 11-metërsh, një duhet të na e kishte dhënë. Megjithatë t’i gëzohemi fitores”, – ka përfunduar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.