Gjergj Vyshka 24.01.2015 14:35
“Unë jam i kënaqur me mënyrën e interpretimit të lojës, që po vjen në rritje nga dita në ditë, – ka deklaruar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, pas barazimit 1-1 që skuadra e tij mori ndaj Tërbunit. – Kemi bërë 60 minuta të mira, të cilat duhet të ishin kurorëzuar me fitore.”
“Më vjen mirë që skuadra po reagon për mënyrën se si duhet të luajë në vazhdim, – ka vijuar ai. – Gjatë javës së ardhshme do të punojmë dhe me dy seanca stërvitore në ditë në mënyrë që të kemi dhe një rritje fizike si skuadër.”
“Kuptohet të shoqëruar kjo dhe me ndeshjet miqësore, – ka theksuar Mehmeti. – Jam i kënaqur dhe për lojën e Daniel Xhafajt, një futbollist përvoja e të cilit do ta ndihmojë këtë ekip në agresivitetin e sulmit.”
Ndërkohë, duke përfituar miqësorja Mamurrasi-Lushnja, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, në përfundim të ndeshjes me pukjanët ka qëndruar për të vëzhguar verdhejeshilët e Artan Banos me të cilët do të ndeshet më 7 shkurt 2015 në kampionat.