Gjergj Vyshka 15.02.2015 11:35
Një 11-metërsh ka nderuar Dinamon dhe kryeqytetasit krijojnë volum loje, por Mehmeti kërkon ende një rritje të shpejtësisë së veprimeve. Blutë janë kthyer përsëri në lojë për arritjen e objektivit të ngjitjes në Kategorinë Superiore. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka deklaruar: “Kemi krijuar volum loje, por duhet të jemi më të qetë përpara portës kundërshtare për t’i shfrytëzuar më mirë rastet për shënim.”
“Jam i kënaqur me atë që ka dhënë skuadra, ndërsa mund të kishim dhe një rezultat më të thellë, – ka vijuar ai. – Sigurisht që kemi ende për të përmirësuar. Kemi luajtur në një terren shumë të mirë, e cila ka shprehur vlerat më të mira të ekipit. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për t’u ngjitur në Superiore”. Ndërkaq, homologu i tij beratas, Madrid Muzhaji theksoi: “Ishte një ndeshje e cila i kishte të tria rezultate brenda”.
“Luanim përballë një skuadre si Dinamo me shumë kualitete dhe që është skuadër e vështirës. Por nëse do të kishim shfrytëzuar mundësitë tona mund dhe duhet të kishim marrë pikë. Nuk gjykoj për 11-metërshin, sepse ato janë kompetencë e tjetërkujt. Por objektivi i Tomorit mbetet ai i fillimsezonit, mbijetesa në Kategorinë e Parë”, – ka përfunduar trajneri i Tomorit.
Ndërkaq, shënuesi i golit dinamovit, Igli Allmuça, ka deklaruar: “Unë gjithmonë golat e mi ia dedikoj dy djemve të mi. Më vjen që jam rikthyer me gol. Kemi bërë një ndeshje më të mirë se sa në Lushnjë, ndërsa përgjithësisht nuk ka qenë një duel i mirë për ne. Mendoj që kemi të gjitha cilësitë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Kjo ishte fitore morale për skuadrën, sepse u lirua nga një ngërç psikologjik që ka pasur. Shpresoj që të vazhdojmë kështu.”