AlbanianSport.com 25.09.2016 17:25
ASNN – Me fitoren 2-0 të Dinamos ndaj Shkumbinit, është mbyllur ndeshja e luajtur në kompleksin Internacional në Pezë. Golat për skuadrën kryeqytetase u shënuan nga Julian Gërxho dhe Ilir Allmuça. Dinamo e ka nisur mbarë sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Blutë e kryeqytetit kanë fituar 2-0 me Shkumbinin, ndeshje kjo e vlefshme për grupin B të kësaj kategorie.
Kjo sfidë u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Federatën Shqiptare të Futbollit, do të sjellë për sportdashësit çdo javë 3 ndeshje të Kategorisë së Parë. Në Kompleksin “Internacional” në Pezë ndeshja nis më mirë për vendasit, që rrezikojnë me anë të Gjatës në minutën e 8-të, por topi kalon mbi shtyllën horizontale të portës peqinase.
18-herë kampionët e Shqipërisë vazhdojnë të ngulmojnë në kërkim të golit duke e shpërngulur lojën në gjysmëfushën e miqve nga Peqini. Në minutën e 30-të, është Arifaj që provon nga distanca por pa sukses. Është sërish ky futbollist që gjuan fort me të majtën 4 minuta më pas, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të portës së peqinasve.
Dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, përpjekjet e Dinamos kurorëzohen me golin e realizuar nga Gërxho. Futbollisti i Dinamos, gjuan rrafsh me tokën dhe mposht Ajazin. Me rezultatin 1-0 për Dinamon mbyllen 45 minutat e para. Në pjesën e dytë, Shkumbini është më kërkues por pa mundur të finalizojë. Kur dukej se ndeshja po mbyllej me rezultatin 1-0, është 20-vjeçari Ilir Allmuça ai që shënon golin e dytë në portën e Shkumbinit.