Gjergj Vyshka 26.02.2015 08:40
Përtej problemit të penalizimit nga FIFA, tek blutë vazhdon seriali i pakënaqësive. Mehmeti e bind lojtarin për formën e tij jo të mirë, edhe pse ka tre vjet që kontribuon. Përtej problemeve që kanë ardhur nga penalizmi i Federatës Botërore të Futbollit, e cila është konvertuar në heqjen e pikëve për Dinamon, kjo pas mospagesave ndaj futbollistit serb Marko Putinçanin, tek blutë vazhdon seriali i pakënaqësive mes futbollistëve.
Pikërisht për këtë temë, në përfundim të stërvitjes, mbrojtësi Klaudio Rexhepi ka pasur një diskutim në formë debati me trajnerin Dritan Mehmeti dhe administratorin e bluve, Ismet Saliaj. Rexhepi në ndeshjen me Tomorin, të cilën blutë e fituan 1-0 në Pezë-Helmës, është zëvendësuar nga Shazivari në fillimin e pjesës së dytë. Kurse në ndeshjen me Shkumbinin në Peqin, e cila përfundoi 0-0, ai nuk ka luajtur asnjë minutë.
Për shkak dhe të kontributit të tij prej tre vjetësh në skuadrën dinamovite, Rexhepi ka kërkuar sqarime me trajnerin Mehmeti. Ndoshta në një moment mund t’i ketë shkuar në mendje dhe largimi nga ekipi. Por ndërsa debati ka zgjatur për më shumë se 15 minuta, ndërsa në fushën me bar artificial vazhdonte stërvitjen Sopoti i Gentian Stojkut, është parë që palët janë ndarë në paqe.
Sepse Rexhepi duket se është bindur nga fjala e vetë trajnerit Mehmeti. “Nuk ka asgjë për ta bërë të madhe, – ka thënë Mehmeti në lidhje me debatin me Rexhepin, që ka mbetur jashtë formacionit. – Janë diskutime që janë brenda familjes dhe në një farë mënyre Rexhepi është nga ata lojtarë që ka kontribuar për më shumë se sa tre vjet tek Dinamo.”
“Që do të thotë se kontributin e tij tek blutë nuk e zhvlerëson askush, por ka një periudhë që nuk është në gjendjen e tij më të mirë, – ka vijuar trajneri i bluve. – Dhe vetë ai u bind që nuk është në formën e tij maksimale. E megjithatë ai, sikurse dhe lojtarët e tjer që janë pjesë e skuadrës, janë gjithnjë në qendër të vëmendjes sonë për t’u aktivizuar.”
Ndërkaq administratori i bluve, Ismet Saliaj, nuk ka dashur të thotë asgjë më shumë për vendimin që ka marrë FIFA, e cila lidhet me pezullimin në pikë për Dinamon. “Më duhet të them që janë gjëra që varen nga të tjerët e jo nga ne. Ne duhet të vazhdojmë punën dhe të fitojmë ndeshjet për të arritur objektivin që ne kemi, i cili lidhet me kalimin e skuadrës në Superiore. Unë kam besim tek ky grup lojtarësh”, – ka përfunduar Saliaj, ndërsa Dinamo do të vijojë stërvitjen sot dhe nesër në ora 09:30.