Gjergj Vyshka 21.12.2014 13:35
Thana, Capa dhe Imami e kanë bërë festë në “Selman Stërmasi” dhe kjo ishte mbyllja më e mirë e vitit për Dinamon. Por, si Mehmeti, ashtu dhe Stojku, kanë pranuar se përforcimet nga tregu i futbollistëve janë domosdoshmëri. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, deklaroi: “Nuk mendoj se është ndër ndeshjet tona më të mira, sepse kemi prodhuar lojë cilësore si në Pogradec, ashtu dhe në Ballsh, pavarësisht se jemi mundur.”
“Më duhet të them se për kushtet që ka pasur Dinamo, e cila bën stërvitje në ora 09:00, tashmë duhet të ketë një favor; të dalë Sopoti në mëngjes e ne në mesditë, sepse jemi një shkallë më sipër në renditje, – ka vijuar ai, duke thumbuar rivalen e djeshme. – Është e vërtetë ajo që thoni ju që skuadra ka një tërheqje pas shënimit të golit të parë, por kjo ngaqë në ndeshje të tjera ka humbur shumë raste për shënim. Pra është krijuar një ngërç psikologjik, ndonëse unë jam munduar që t’i jap mbështetje.”
“Mos harroni që edhe sot jam detyruar që mesfushorin ta kthej mbrojtës e sulmuesin-mesfushor, – ka theksuar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti. – Nëse duam të jemi në Superiore kemi nevojë për përforcime në të tria repartet. Por sot jam me të vërtetë i kënaqur.” Ndërkaq, trajneri i Sopotit, Gentian Stojku, ka deklaruar: “Për pozicionin që kemi sot në renditje unë jam i kënaqur. Kemi bërë një pjesë të parë të mirë dhe nuk është se jemi shthurur më pas në lojën tonë.”
“Mirëpo goli i dytë i vuri vulën gjithçkaje. Nuk e diskutoj nëse ishte apo jo 11-metërsh, sepse ai është vendimi i gjyqtarit. Por e them dhe njëherë që ajo i vuri vulën. Ajo që më vjen keq është fakti se Dinamo ka ardhur vetëm tre herë në portën tonë dhe tre herë ka shënuar. Gjithsesi kemi nevojë për merkato dhe do të bëjmë disa përforcime. Shpresojmë që në pjesën e dytë të kampionatit të jemi më mirë”, – ka përfunduar trajneri i Sopotit, Gentian Stojku.