Tek blutë një vjen dhe dy ikin, skuadra është bërë si “han pa porta…!” Trajneri Mehmeti i shqetësuar për mungesën e kontratave të futbollistëve. Përtej barazimit pa gola në miqësore e djeshme me Tiranën B, trajneri i bluve Dritan Mehmeti, të paktën edhe sipas asaj që ka deklaruar në përfundim të ndeshjes, ende nuk di se çfarë lojtarësh do të ketë në dispozicion edhe në kushtet kur kampionati i Kategorisë së Parë do dhe dy javë të nisë.
Një vjen dhe dy ikin e Dinamo, e kthyer në një “han pa porta”, duket se rrezikon të mos ketë asnjë emër serioz në formacionin e saj. Që mundet ta kthejnë më pas në një kandidat potencial për të rënë në Kategorinë e Dytë. Kështu ditët e fundit kanë ikur Tushe dhe Sulollari, që janë strehuar tek Mamurrasi (trajneri i kësaj skuadre, Ylber Zani, e kishte paralajmëruar që më 4 gusht ardhjen e mesfushorit në ekip). Dhe largimi i tyre ka krijuar probleme në mbrojtje dhe në mesfushë.
Duhet theksuar se në mbrojtje skuadra e Mehmeti ka ende probleme për shkak të dëmtimit në kavilje të Rexhepit që nga miqësorja me Shkumbinin, por dhe e Xhafës, i cili vazhdon të stërvitet individualisht. Trajneri Mehmeti është i shqetësuar për shkak të mos firmosjes së kontratave, në një kohë që prej ditësh krutanët e Shkëlzen Rustamit kanë lajmëruar se presin jo vetëm portierin Lamellari, por Erjon Xhafën, Nertil Ferrajn dhe Erald Turdiun.
E nëse ndodh kështu, Dinamo do të jetë krejtësisht me lojtarë të rinj, të cilët e kanë të pamundur të përballojnë ngarkesën e Kategorisë së Parë. Produkti i deritanishëm, edhe me këta futbollistë pa kontratë, por që mund të largohen në çdo kohë, është fakti se në gjashtë ndeshje miqësore Dinamo ka fituar dy, ka barazuar dy dhe ka humbur dy. Dhe kur ka barazuar me dy skuadra të Kategorisë së Dytë si Luzi dhe Tirana B, atëherë gjërat nuk janë për mbarë.
Ndaj sa nuk është vonë drejtuesit duhet të lëvizin, sepse Dinamo duhet të jetë mbi të gjitha ekipet dhe të ngjitet në Superiore.