AlbanianSport.com 20/08/2021 18:25
ASNN – Trajneri i kryeqytetasve analizon humbjen me Tiranën, por mbetet optimist për ecurinë. E ka humbur miqësoren e së premtes me Tiranën, por trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi, është përgjithësisht i kënaqur me ecurinë e përgatitjeve të skuadrës. “Mendoj që akoma jemi tek 60-70%, kemi shumë për të bërë akoma, por jam i kënaqur me atë që po bëjnë djemtë në stërvitje edhe sot (dje) deri diku me lojën dhe deri në fillim të kampionatit mendoj se do të arrijmë në më të mirën tonë”, – ka thënë ai.
Korçari i stolit kryeqytetas ka parë disa anë të mira, por edhe kërkon nga ekipi të korrigjojë gabimet e bëra në këtë miqësore, teksa thotë: “Mendoj se mora sinjale të mira, por edhe negative, që ishin kartonët e verdhë, pasi në kampionat nuk duhet t’i lejojmë të ndodhin”. Sidoqoftë, Shkëmbi mbetet pozitiv për atë që skuadra ka dhënë deri më tani. “Me ardhjen e Mihanës mendoj se jemi të kompletuar, – thotë trajneri i Dinamos. – Patjetër që kemi vështirësi për arsye të ribërjes të ekipit. E kemi filluar nga zeroja çdo gjë dhe kemi vetëm një muaj bashkë.”
“Por them se deri në këto momente kemi bërë mirë”, – ka shtuar ish-futbollisti i njohur, i cili e cilëson të mbyllur merkaton e Dinamos. “Po, është e vërtetë, janë vetëm dy lojtarë të dëmtuar, Demiri dhe Kërçiku, që po vazhdojnë rikuperimin dhe dëshirojmë të na bashkohen sa më shpejt me grupin, sepse këto ditë të fazës përgatitore janë shumë të rëndësishme”, – thotë Shkëmbi. Trajneri i Dinamos nuk fshihet sa u përket objektivave të këtij sezoni, që janë ambicioze për një ekip të rikthyer në Kategorinë Superiore.
“Patjetër, Presidenti Bardhi ka investuar dhe po investon për të bërë më të mirën, atë që Dinamos ia imponon emri, – thekson Bledi Shkëmbi. – Ne do të luftojmë për të dalë “kampion” dhe për të shkuar në Kupat e Evropë, sepse mendoj që pikërisht për këto nivele është bërë edhe Dinamo.” Miqësorja e luajtur të premten në Pogradec, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH 1.