Nga Gjergj Vyshka 26.10.2014 14:50
Dinamo u është rikthyer fitoreve në fushën e vet pas shtatë muajsh mungesë. Por jo vetëm kaq, por është kthyer tek fitorja pas dy javësh, ndërsa me 8 pikë në katër javë kampionati, edhe duke qenë një pikë larg vendit të parë, të cilin e mban Butrinti, është kandidat potencial për të qenë pas tre vjetësh mungesë në Kategorinë Superiore.
Por njeriu i fitores së bluve të Dritan Mehmetit ka vetëm një emër, që është Erald Turdiu, një hero i kthyer tashmë në idhull për tifozërinë e pakët dinamovite. Katër gola në katër javë nga gjashtë gola që ka shënuar blu, ndërsa pas çdo goli të shënuar prej Dinamo ka një rezultat pozitiv dhe asnjëherë nuk del pa gjë nga fusha e lojës.
Kështu ka ndodhur dhe dje pasdite në “Selman Stërmasi”, ndërsa Dinamo ka fituar minimalisht 1-0 me Lushnjën, ndonëse loja ende nuk është ajo që pritet prej të gjithëve. E megjithatë Dinamo dje ka fituar, ndërsa tani shpreson që këtë ritëm të rezultateve ta mbajë deri në fund të sezonit.