Gjergj Vyshka 14.12.2014 09:45
Dinamo mund të quhet dje me plot gojë një skuadër pragmatiste, e cila shënon pak, por merr shumë jo vetëm në pikë, por dhe në pozicionin në renditje, teksa është kthyer në vendin e dytë të renditjes së grupit të Jugut. Ka vlejtur Eni Imami, i cili shënon golin e tretë radhazi në këtë aktivizim të tijin me blutë, duke treguar kështu formën e tij të mirë. Por që të vinte deri këtu, Dinamo ka vuajtur shumë.
Së pari terreni, tërësisht i vështirë dhe jashtë çdo parametri për një futboll normal, sepse një numër i madh ndeshjesh të luajtura në “Selman Stërmasi” nuk lënë shumë kohë për rehabilitimin e fushës nga punonjësit e impiantit. Së dyti, ndoshta gjyqtari Sadiku, teksa në pjesën e parë, në tre raste të dyshimta të pengimit të lojtarëve dinamovit brenda zonës gjirokastrite, ka vazhduar lojën.
Blutë kanë pretendimet e tyre, ndërsa Mehmeti do të shpjegonte pas ndeshjes që të paktën nga tre një duhet të ishte penallti. Dhe së treti, tërheqja pas golit të shënuar e bën Dinamon të dridhet deri në fund të vërshëllimës së Sadikut, sepse bluzinjtë kanë këmbëngulur deri në fund për të barazuar. Në përgjithësi, të paktën deri në minutën e 26-të, ka qenë një lojë e varfër, ku nga asnjë palë nuk shiheshin dy pasime bashkë.
Fundi i pjesës së parë ka ndezur shkëndijat për një lojë sulmuese më kërkuese të Dinamos. Futja e Ferrajt i ka dhënë më tepër hov ritmit të sulmit, aq sa koka e Eni Imamit ka vlejtur tre pikë. Luftëtari mund ta kishte ndëshkuar Dinamon në kundërsulm, atje ku Lluka e Frashëri në pjesën e parë, apo dhe Nelaj e të tjerë në pjesën e dytë janë ndalur nga Lamellari.
Në përfundim një fitore e vyer e Dinamos, e cila tashmë i shton oreksin për të kërkuar pikët maksimale dhe ndaj Naftëtarit e Sopotit, por ajo që nuk të lë shije të mirë e të mbash mend një gjë nga ndeshjet e bluve është niveli i lojës. Mirëpo u fituaka dhe kështu…
Dinamo – Luftëtari 1-0
Shënues: Imami 67’
Dinamo: Lamellari, Duqi, Shkalla, Imami, Tafaj, Rexhepi, Muça (Ferraj 63’), Thana, Arifaj, Capa (Rezi 75’), Turdiu. Trajner: D. Mehmeti
Luftëtari: Thano, Shenaj, Çunaj, Duka, End. Mersini (Gaba 78’), Frashëri, Çaço, Erg. Mersini, Biraçaj (Këndella 69’), Lluka, Qejvani (Nelaj 46’). Trajner: B. Devolli
Gjyqtarë: R. Sadiku, A. Mahmuti, E. Bodeci (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Lamellari, Arifaj, Capa / Erg. Mersini, Lluka
Minuta e golit:
67’ Goditje këndi për Dinamon në të djathtë të sulmit blu, ka krosuar Ferraj dhe Imami, që është ngritur mbi mbrojtësit gjirokastrit me kokë e ka dërguar topin në rrjetë, duke e kaluar dhe mbi kokën e portierit Lamellari. (1-0).
Minutat e tjera:
26’ Lluka, në një kundërsulm të shpejtë të Luftëtarit, ka gjuajtur në ecje e sipër nga rreth 20 metra, por mbrojtësit dinamovit e kanë larguar rrezikun, duke e përcjellë topin në goditje këndi.
33’ Thana ka shpërthyer nga krahu i majtë i sulmit dinamovit, ka krosuar, Turdiu ka gjuajtur me kokë, por ka pritur Thano.
34’ Kundërsulm i shpejtë i Luftëtarit, Frashëri i vetëm me portierin dinamovit, ndërsa i ka lënë nga pas mbrojtësit blu, ka gjuajtur, por Lamellari ka pritur.
52’ Nelaj ka gjuajtur fort në ecje e sipër, në një distancë prej rreth 20 metrash, por ka pritur i sigurt Lamellari.
66’ Goditje dënimi për Dinamon, në të djathtë të sulmit blu, ka gjuajtur fort Ferraj, edhe pse ka qenë në pozicion diagonal me portën blu, por Thano, me shumë zgjuarsi, ka grushtuar në korne.
74’ Momenti i artë i Dinamos për të shënuar golin e dytë dhe për të mbyllur ndeshjen, Capa i vetëm me portierin Thano, gjuan, por mbrojtësi i katërkëndorit gjirokastrit ka pritur.
77’ Ferraj gjuan në ecje e sipër, nga rreth 20 metra, por Thano ka pritur duke shmangur dhe një tjetër moment të vështirë në portën e tij.