Gjergj Vyshka 25.09.2014 16:15
Por përtej problemeve administrative, Dinamo ka vijuar stërvitjen e vet. Trajneri Dritan Mehmeti ka bërë ndeshjen e kontrollit, ndërsa ka bërë dhe modifikime në formacion krahasuar kjo me miqësoret e fundit të paktën deri tek ajo e 13 shtatorit ndaj Tërbunit. Që nga ndeshja miqësore me Kastriotin në Krujë të shtunën e kaluar, kur blutë barazuan 2-2, Dinamo është me një tjetër vendosje dhe të tjerë lojtarë në role specifike.
Kthimi i Thanës në qendër të mbrojtjes dhe zhvendosja e Muçës në pozicionin e tij normal, atë të mesfushorit-shkatërrues, duket se i japin më shumë forcë skuadrës në të gjithë aspektin e fushës. Dhe më saktë është një vendosje taktike 4-4-1-1, që do të thotë: Lamellari – Tragaj, Rexhepi, Thana, Duqi – Tafaj, Capa, Muça, Ferraj – Arifaj -Turdiu.
Ndërkohë ka nisur të stërvitet normalisht Erjon Xhafa, i cili nëse do të kthehet në rolin e titullarit do të jetë një siguri më shumë për formacionin e Mehmetit, pa harruar këtu që lojtarë si Imami, Rezi, Sorra, apo dhe disa të rinj të ardhur nga ekipet e moshave jo vetëm të Dinamos, japin më shumë forcë në stolin e rezervave. Sepse rrisin konkurrencën me formacionin titullar.
Por ajo që mbetet të zgjidhet është zbritja e Dinamos në fushën e lojës dhe mos mbetja e saj për shkak të mospagesave në FSHF pa ndeshje zyrtare. Pasi për blutë, gjithnjë për historinë e tyre, kanë nevojë të gjithë në futbollin shqiptar.