Gjergj Vyshka 08.02.2015 20:25
Duke folur pas ndeshjes, trajneri i përkohshëm i Dinamos, Rodenc Asllani, ka deklaruar: “Kemi luajtur një pjesë të parë të mirë, ndërsa e kishim lojën nën kontroll. Por jemi goditur atëherë kur nuk e mendonim dhe janë prishur të gjitha ekuilibrat në fushë. Shtylla na ka privuar nga barazimi, që edhe mund të na jepte barazimin. Unë nuk kam asnjë dyshim për lëshim.”
“Përkundrazi e luajtëm lojën tonë, por jemi goditur atëherë kur nuk e prisnim, – ka deklaruar ish-ndihmësi i trajnerit të dorëhequr, Dritan Mehmeti. – Madje kam dyshimet e mia edhe për një 11-metërsh, e cila duhej të ishte dhënë dhe gjyqtari nuk kishte pse frenohej. Nëse është, jepen dhe dy të tilla në lojë. Sigurisht që çdo humbje e rëndon situatën.”
“Megjithatë ne do të vazhdojmë punën tonë deri në përfundim të sezonit”, – ka përfunduar Asllani. Ndërkohë, homologu i tij, trajneri i Pogradecit, Ardian Abazaj, ia atribuoi fitoren kundërsulmit. “Sigurisht që po të nisesh nga rezultati kështu duket sikur ia kemi marrë dorën Dinamos, – ka deklaruar ai. – Megjithatë kemi pasur një ndeshje të vështirë.”
“E dinim që Dinamo do të sulmonte me të gjitha forcat dhe ne jemi përpjekur që përmes dy sulmuesve tanë të shpejtë, Pengut dhe Çekiçit, të bënim kundërsulmin, – ka vijuar kreu i stolit liqenor. – Duhen thënë fjalë të mirë dhe Topllarin, që shënoi golin e dytë. Skuadra ka dhënë shenja që në ndeshjen me Bylisin, ndërsa jemi ndëshkuar nga dy gabimet tona.”
“Kemi pasur një periudhë të gjatë dëmtimesh, ndërsa janë kthyer Jahaj dhe Shkullaku. Asnjëherë s’kemi thënë që jemi për Superiore, por në të njëjtën kohë s’e kemi menduar as mbijetesën. Do të vazhdojmë të kërkojmë të jemi në pozicionet e larta në renditje”, – ka përfunduar trajneri i Pogradecit, Ardian Abazaj.