Gjergj Vyshka 12.01.2015 07:05
Dinamovitët e kanë pasur pushim dje pas një stërvitje intensive në javën e parë të periudhës përgatitore dimërore. Ardhja e pesë futbollistëve të tillë si Daniel Xhafaj, Igli Allmuça, Marvin Turtulli, Mishel Bilibashi dhe braziliani Tiago, pa thënë që pritet edhe Marku, duket se e ka plotësuar grupin e futbollistëve të skuadrës së drejtuar nga Dritan Mehmeti.
Parë kështu, ndërsa nga grupi i lojtarëve që pat përfunduar pjesën e parë të sezonit nuk është larguar njeri, atëherë Dinamo nuk pret më lëvizje. Që do të thotë se deri më 7 shkurt, kohë në të cilën nis pjesa e dytë e sezonit dhe Dinamo do të ketë ndeshjen e vështirë në fushë të huaj me Lushnjën kryesuese të grupit të Jugut, Mehmeti dhe të tijtë kanë kohën e duhur në dispozicion për të formuar formacionin më të mirë të bluve.
Një 11-sh i cili do të bëjë të mundur realizimin e ëndrrës së dinamovitët që është kthimi në Superiore pas tre vjetësh mungesë. Dhe stërvitja e radhës e Dinamos është sot në ora 13:00.