Gjergj Vyshka 25.09.2014 07:55
Kryeqytetasit, nëse deri në fund të javës nuk përmbushin detyrimet, e humbasin ndeshjen në “tavolinë”. Blutë në rrezik, s’kanë bërë asnjë pagesë në FSHF dhe asnjë federim të lojtarëve. Dinamo e Dritan Mehmetit thuajse është në ditët e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e parë të kampionatit, të cilën do ta luajë në Gjirokastër ndaj Luftëtarit vendës. Megjithëse burime jo zyrtare konfirmojnë faktin që Dinamo është ndër ato skuadrat që deri më tani nuk ka paguar asgjë për sa i përket regjistrimit në kampionat, apo dhe të ketë bërë federimin e lojtarëve.
Me rregullin e fundit të vendosur nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili u mblodh posaçërisht të hënën për Kategorinë e Parë dhe të Dytë, është thënë që klubet deri në këtë fundjavë duhet të paguajnë 50 % të taksave të regjistrimit. Ndërsa 50 % të tjera, me një akt-marrëveshje me FSHF-në, është deri më 31 dhjetor 2014.
Por Dinamo, gjithnjë sipas këtyre burimeve, nuk ka bërë asgjë. Dhe në të kundërt, skuadra rrezikon jo vetëm që të mos udhëtojë drejt Gjirokastrës, por dhe ta humbasë ndeshjen në “tavolinë”, që do të ishte një turp shumë i madh për një klub me histori 64-vjeçare, i cili brenda tij ka 18 tituj kampion të Shqipërisë, 13 Kupa të Shqipërisë, si dhe dy Superkupa.
Pa harruar këtu pjesëmarrjet dinjitoze në Kupat Ballkanike dhe të Evropës, apo një shumicë lojtarësh, të cilët kanë furnizuar më së shumti ekipet kombëtare që nga të rriturit e deri tek moshat e vogla. Por përtej kësaj, duke shpresuar që ky burim jo zyrtar të mos jetë i vërtetë, Dinamo ka vijuar stërvitjen e vet.