Gjergj Vyshka 09.10.2014 08:10
Pagesat e padhëna mujore, të pritura para ndeshjes me Naftëtarin, kanë sjellë mungesë motivimi. Administratori i bluve, Ismet Saliaj, kishte premtuar shpërblim në rast fitoreje, por ajo s’i hyn në sy futbollistëve. Dinamovitët e Dritan Mehmetit janë të pakënaqur. Dhe kjo reflektohet jo vetëm në fytyrat e futbollistëve, të cilët vijnë pa dëshirë në stërvitje, por dhe në atë çka ata kanë dhënë në fushën e lojës në ndeshjen me Naftëtarit, e cila është barazuar në “Selman Stërmasi”, në mënyrë krejt të papritur, në shifrat 1-1.
Pakënaqësia, të paktën sipas burimeve të sigurta, është në faktin se dinamovitët nuk e kanë marrë rrogën e tyre mujore, të cilën në fakt e kanë pritur përpara ndeshjes me Naftëtarin. Sepse edhe në kushtet kur duket se administratori i bluve, Ismet Saliaj, kishte premtuar të njëjtën premio si në Gjirokastër në rast fitoreje, sërish ajo gjë nuk duket se u ka hyrë në sy lojtarëve. Pasi ata duan që të është rrogë mujore me të cilën ushqejnë familjet. Në një farë mënyre kjo pagesë e pa dhënë mujore mund të ketë qenë dhe një mungesë motivimi në ndeshjen me Naftëtarin.
Madje, edhe duke e ditur këtë fakt, trajneri Mehmeti edhe në analizë i ka kërkuar futbollistëve një tjetër paraqitje, sepse në fund të fundit rrogat e tyre mujore janë marrëveshje që ato kanë bërë me drejtuesit e klubit Dinamo kur dhe kanë nënshkruar kontratat. Ndaj kjo mungesë e pagesave mujore, paçka se si shqetësim qëndron, nuk mund të jetë alibi për atë që u prodhua në fushën e lojës, sepse tifozët dinamovitë s’kanë kohë të mendojnë dhe të dinë se si i kanë hallet lojtarët që kanë marrë përsipër të veshin fanellën 64-vjeçare të Dinamos.