Gjergj Vyshka 26.10.2014 16:00
Dinamo, edhe duke llogaritur që mungonte Thana i dëmtuar, pak a shumë e kishte ndërruar skemën taktike. Duke kaluar tashmë me 4-1-4-1. Që do të thotë se katërshja e mbrojtjes ka qenë e përbërë nga Duqi në të majtë, Rexhepi e Shkalla në qendër dhe Tafaj në të djathtë. Më pas Muça shkatërrues. Kurse në mesfushë Rezi në të djathtë, Capa e Arifaj në qendër e Ferraj në të majtë. Dhe në sulm i vetëm Turdiu. Për rrjedhojë Lushnja është përgjigjur me një ngjeshje të forcave në mesfushë dhe në mbrojtje duke u përpjekur që vetëm me Branicën të ishte kërcënim për mbrojtjen blu.
Duhen të paktën 18 minuta lojë për të regjistruar gjuajtjen e parë në portat përkatëse, e cila ka ardhur nga Arifaj i Dinamos, i cili e dërgon topin mbi tra. Është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë Baze, që nuk sjell rrezik për portën blu. Në të 25-n minutë, Lushnja ka rrezikuar me Branicën, por Lamellari ka pritur. Fundi i pjesës së parë sjell dy pretendime të Dinamos për 11-metërsh. Në të parën për një pengim të Rezit nga portieri Spaho e në të dytën është penguar Turdiu, por për gjyqtarin Ferataj nuk ka penallti.
Mirëpo nuk mund të falte më në minutën e 49-të, atëherë kur Bakiasi ka penguar Turdiun. Por momentin e artë të Dinamos për të kaluar në epërsi e ka humbur Ferraj, ndërsa Spaho, edhe duke kuptuar krahun e topit, ka pritur. Dinamo nuk ka lëshuar, ndërsa ushtron presion. Goli i Turdiut është paralajmëruar nga një dalje e Muçës përballë portierit Spaho, por gjuajtja e kapitenit blu, në minutën e 63-të, ka përfunduar mbi tra. Dhe vjen minuta e 71-të, Turdiu, pasi ka bërë lëmsh mbrojtësit verdhejeshil, me një gjuajtje mbi kokën e portierit Spaho e ka dërguar topin në rrjetë.
Festë tek blutë, ndërsa Turdiu është turrur tek “Blue Boys” për të festuar me ta. Lushnja mund të kishte realizuar në minutën e 56-të, me Çelën, në të 68-n, me Allkanjarin dhe në të 75-n, me Gjylën, por shënjestra e tyre ka qenë e gabuar. Përfundimisht 1-0 për Dinamon, e cila kështu merr fitoren e dytë të sezonit.
Dinamo – Lushnja 1-0
Shënues: Turdiu 71’
Dinamo: Lamellari, Duqi, Shkalla, Tafaj, Arifaj (Mezini 62’), Rexhepi, Ferraj, Muça, Rezi (Tahiraj 83’), Capa, Turdiu. Trajner: D. Mehmeti
Lushnja: Spaho, E. Sula, Bakiasi, Ndoni, Ruço, Baze, Gjoni, Topi (Bushi 86’), Branica, Çela (Allkanjari 60’, Taullau 78’), Gjyla. Trajner: A. Bano
Gjyqtarë: O. Ferataj, N. Rrapaj (Patos), P. Simoni (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Duqi / E. Sula, Bakiasi, Ndoni, Baze