Gjergj Vyshka 21.10.2014 15:15
Trajnerit të bluve, Dritan Mehmeti, i dhemb ende barazimi në “Selman Stërmasi” me Naftëtarin, pasi do të ishte në krye. “Muça është i skualifkuar me kartonë, ndërsa Thana, Tafaj e Arifaj janë me hematoma për shkak të goditjeve që kanë marrë nga kundërshtari, – ka rrëfyer ai. – Mirëpo këto janë gjyqtarët, të cilët ndëshkojnë Dinamon edhe atëherë kur nuk ka faj. Sigurisht që 14 kartonë të verdhë në tre javë kampionati janë shumë.”
“Po heq vetëm një që është marrë për veprim disiplinor të Ferrajt në ndeshjen me Naftëtarin. Të gjithë të tjerët janë edhe atëherë kur nuk ka faj lojtari ynë. Gjyqtarët duhet të jenë më të tolerueshëm ndaj Dinamos, sepse nuk është skuadër, e cila duhet të ketë kaq shumë kartonë të verdhë. Jemi ne të goditurit e ndeshjes me Sopotin dhe kemi marrë katër kartonë të verdhë, kurse Sopoti një”, – ka vijuar Mehmeti për “Gazetën e Sportit”.
Pesë pikë në tre ndeshje janë pak, apo shumë? Kjo ishte pyetja që i është drejtuar trajnerit blu, ndërsa Mehmeti, edhe duke dhënë përgjigjen, është ende i mërzitur me atë që ka ndodhur në fushën e lojës në javën e dytë të kampionatit, teksa Dinamo barazoi 1-1 me Naftëtarin në “Selman Stërmasi”. “Për atë ndeshje më vjen keq sepse kemi bërë një pjesë të parë për t’u harruar, ndërsa dhe psikologjikisht u ngarkuam kur dhe morëm golin”, – ka theksuar trajneri i Dinamos.
“Sepse ishte e vështirë më pas për t’u përmbysur, – ka pohuar Mehmeti. – Kjo është një skuadër që ka kualitetet brenda e që duhet të kishte më tepër pikë. Madje sot duhet të ishte në krye të renditjes së grupit të Jugut. Kemi ende për t’u përmirësuar, por unë jam i bindur që në ndeshjen me Lushnjën, pavarësisht se është kundërshtar i vështirë, do të rikthehemi tek fitoret.” Mirëpo kundërshtarët si Sopoti kryesues, apo dhe Butrinti, kanë nisur të mos e llogarisin më Dinamon si rivalë për t’u ngjitur në Superiore.
“Aq më mirë për ne, sepse kështu, edhe duke na nënvlerësuar, do të jetë në dëmin e tyre dhe puna do të jetë më e lehtë. Po të kishim edhe një stol më të plotë, ekipi do të ishte më mirë, sepse do të kishte më shumë konkurrencë. E them këtë, sepse tek një pjesë e mirë e lojtarëve është krijuar bindja të pazëvendësueshëm. Gjithsesi besoj se do të jemi krejtësisht ndryshe në përballjen me Lushnjën, një ndeshje mes ekipeve që kanë qenë në Superiore”, – ka përfunduar Mehmeti.