Gjergj Vyshka 11.10.2014 17:55
Përtej problemeve që ju kanë shqetësuar gjatë gjithë javës, a ishte kjo Dinamo më e mirë se sa në përballjen me Naftëtarin në kampionat? Kjo ka qenë pyetja e “Gazetës së Sportit” për trajnerin e bluve, Dritan Mehmeti.
“Unë mendoj, – ka thënë i pari i pankinës dinamovite, – se ndeshja me Naftëtarin ka pasur probleme psikologjike tek lojtarët, si dhe mungesë finalizimi. Është një gjë që ne e kemi vuajtur dhe në ndeshjen ndaj Kamzës, siç e patë edhe ju.”
“Mendoj që kemi bërë një ndeshje të mirë, por kemi ende për të përmirësuar, – ka vijuar ai. – Kemi edhe një javë për t’u përgatitur për ndeshjen me Sopotin, aq më tepër që kemi disa lojtarë për t’u rikuperuar për shkak të dëmtimit.”
“Është fjala për Ferrajn, Arifajn, Capën, Xhafën dhe Sorrën. Sa për problemet e tjera, të cilat janë shqetësim kryesor i të gjithë skuadrës, shpresoj që të zgjidhen sa më parë”, – ka përfunduar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.