Gjergj Vyshka 26.10.2014 17:10
“Mos e nënvlerësoni Lushnjën.” Ky është apeli i trajnerit të Dinamos, Dritan Mehmeti, edhe pse skuadra e tij ka arritur t’i marrë lagunarëve 3 pikët në duelin e djeshëm falë një golit të Turdiut. “Është një skuadër, e cila ka një grup lojtarësh që luan prej tre vjetësh bashkë”, – ka vijuar ai.
“Jo vetëm kaq, por është një skuadër e cila vjen nga Kategoria e Superiore, – ka theksuar kreu i pankinës së bluve kryeqytetas. – Dhe si e tillë fitorja me të gjithnjë është e vështirë. Mos prisni më shumë prej Dinamos, kur dy ditë, të hënën dhe të martën, është e detyruar të bëjë stërvitje në “kalçeto”.”
“Më pas duhet të presë të tjerët që të mbarojnë stërvitjen për të bërë vetë, – ka kujtuar ai. – Unë i falënderoj lojtarët, të cilët, edhe kur u humb 11-metërshi, kur Ferraj gaboi nga pika e bardhë në fillimin e pjesës së dytë, nuk ranë psikologjikisht. Përkundrazi, e gjetën fitoren.”
“Ftoj tifozët që të vijnë të na mbështesin, sepse në këto momente të vështira, atje ku Dinamo është e cenuar në të gjitha anët, skuadra ka nevojë për ta. Edhe një herë, falënderoj lojtarët për çka dhanë në fushë”, – ka përfunduar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, duke folur pas ndeshjes që skuadra e tij fitoi dje ndaj Lushnjës.