Problemi është se Dinamo e Mehmetit, përtej dëshirës së “ish”-ëve, apo dhe tifozëve blu, ende nuk është bindës në realizimin e ëndrrës për t’u kthyer pas tre vjetësh mungesë në Kategorinë Superiore. Madje kanë treguar dinamovitët e Dritan Mehmetit se janë ende të brishtë në tërësinë e tyre. Nuk duhet harruar se Dinamo në grupin e Jugut ka kundërshtar të vështirë. Janë ndër ato kundërshtar, të cilët kanë përvojën e të luajturit në Kategorinë Superiore, por jo vetëm kaq e njohin dhe lojën e ashpër.
Dhe janë emra si Luftëtari, Bylis, Lushnja, Tomori, Shkumbini, Pogradeci, Butrinti, Naftëtari dhe Sopotit. Rregulli i vendosur i Federatës Shqiptare të Futbollit është i atillë; e para e grupit të Jugut ngjitet në Kategorinë Superiore, e dhjeta zbret në Kategorinë e Dytë dhe e nënta ndeshje shtesë me të dytën e grupit të Veriut të Kategorisë së Dytë. Pra një garë shumë e vështirë, ndërsa kjo shkërmoqje në Fushë-Krujë, edhe pse është miqësore, nuk tregon një situatë të mirë tek Dinamo.
Ka emra të afruar në tregun e lëvizjeve të futbollistët, por duket se nuk janë lidhur ende me njëri-tjetrin, ndërsa koha nuk pret. Dinamo ka dhe një miqësore të fundit ndaj Besës në Kavajë të shtunën dhe më pas do të jetë e përqendruar për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Luftëtarit në fushë të huaj. Por ajo që është paraqitur dje në Fushë-Krujë dhe humbja 0-3 ndaj Ilirisë, që duket se është shkatërruese për 18 herë kampionët e Shqipërisë, e paraqet situatën alarmante për Dinamo, ndërsa reagimi duhet të jetë i shpejtë.