Gjergj Vyshka 10.11.2014 08:50
“Kemi nevojë për relaks pas kësaj fitoreje me Shkumbinin. Kështu që dje dhe sot skuadra do të jetë pushim”.
Kështu ka deklaruar trajneri i bluve, Dritan Mehmeti, në përfundim të ndeshjes të së shtunës me peqinasit.
Dhe pritet që nisja e përgatitjeve të jetë të martën në ora 09:30, ndërkohë që ende nuk dihet nëse në fundjavë dinamovitët do të kenë ndonjë miqësore, apo jo.
Për fatin e mirë të bluve në ndeshjen e radhës të javës së 7-të, në Ballsh nuk do të ketë asnjë mungesë.
Që do të thotë se do të kthehet Ferraj nga skualifikimi, ndërsa shpresohet nga ana tjetër dhe në një rikuperim të plotë nga dëmtimi të Duqit.
Por ajo që e bën më të lehtë sfidën në Ballsh, gjithnjë me mendimin e një rezultati pozitiv dhe të ruajtjes së kryesimit, është dhe fakti që në “Adush Muça” nuk do të ketë spektator, sepse fusha e Bylisit është dënuar një javë pa tifozë.
Gjithsesi kryesimi i ka dhënë Dinamos të drejtën e dy ditëve pushime.