Gjergj Vyshka 24.02.2015 16:10
Edhe për gardianin e portës blu, Elvis Kotorri, dy herë kampion me Dinamon, situata e krijuar nuk ka qenë e mirë. “Unë shpresoj që drejtuesit të bëjnë diçka për të zgjidhur këtë situatë, – ka thënë ai. – Nuk ka vend për panik, sepse 5 pikë nuk janë shumë për t’u rikuperuar. Lojtarët e përvojës, por dhe pjesa tjetër e grupit e bëjnë të mundur që Dinamo të vazhdojë luftën e saj për t’u ngjitur në Superiore.”
“Sigurisht që kundërshtarët mund dhe të kënaqen, – ka vijuar ai. – Por, në fund të fundit, ne jemi Dinamo.” Ndërkaq, Kotorri, i cili nuk e çon as nëpër mend që kjo skuadër sot të rrezikojë rënien nga Kategoria, teksa thotë: “Besoj që nuk ka për t’u rënduar aq shumë situata sa të rrezikojmë rënien nga Kategoria. Përkundrazi kemi një ndeshje të fortë në fushën tonë me Bylisin, të cilën shpresojmë ta kthejmë me fitore.”
“Sepse vetëm kështu mund të vazhdojmë luftën në Superiore. Dinamo është peshë e rëndë dhe ne lojtarët e përvojës do të dimë ta nxjerrim në Superiore”, – ka përfunduar Kotorri. Kurse vendimi për heqjen e tre pikëve nuk është pritur mirë as nga tifozët, të cilët shpresonin që sivjet, pas tre vjetësh mungesë, Dinamo të ishte në elitën e futbollit shqiptar.