Gjergj Vyshka 21.01.2015 13:05
Blutë në pritje të Kotorrit, drejtuesit kanë nisur përfundimin e kontratave me të ardhurit. Elvis Kotorri, portieri elbasanas të cilin dinamovitët tashmë e konsiderojnë zyrtarisht pjesë të tyre, edhe dje nuk ka dalë në stërvitje me blutë. Sipas të gjitha gjasave, teksa kanë përfunduar bisedat me drejtuesit e Dinamos, ai ende nuk ka marrë letrat nga verdheblutë.
Dhe pasi t’i marrë ato, ai do të jetë në skuadër. Ndërkohë pasi e ka sqaruar trajneri Mehmeti, Lamellari ka pasur dhe një takim tjetër me administratorin Saliaj. “Unë fola me të, – thotë administratori i bluve, – e sqarova, sepse edhe duke e ditur që ka dy kartonë të verdhë, si dhe gjatë vitit ka dëmtime, na duhej një portier i mirë. Të jemi të ndërgjegjshëm, portieri i dytë që ne kemi nuk garanton asgjë.”
“Ndaj bëmë këtë lëvizje. Tashmë jemi duke mbyllur të gjitha kontratat dhe jemi në pritje të forcimit të skuadrës. Nuk kam ndonjë përgjigje nga Bilibashi, ndërsa s’kemi lëvizje të tjera”. Përfundimisht, Dinamo miqësoren e saj të tretë do ta luajë sot ndaj Gramshit, në ish-kompleksin blu.