Gjergj Vyshka 22.10.2014 19:20
14 kartonë të verdhë në tre javë janë shumë për një skuadër pretendente për në Superiore. Blutë verifikojnë në Federatën Shqiptare të Futbollit, Erxhan Muça nuk është i skualifikuar. Kartonët duket se po kthehen në një makth për Dinamon, e cila në tre javët e para të kampionatin numëron numrin më të madh të ndëshkimeve nga gjyqtarët. Janë plot 14 kartonë të verdhë, që me një mesatare i bie 4.6666667 për ndeshje, gjë që nuk është fort normale për një skuadër, e cila pretendon të ngjitet në Kategorinë Superiore.
Ndërkohë administratori i bluve, Ismet Saliaj, ka verifikuar në Federatën Shqiptare të Futbollit gjendjen e këtyre kartonëve që gradualisht do të mund ta ndëshkojnë Dinamo me një, apo më shumë të skualifikuar për shkak të këtyre ndëshkimeve. Që do të thotë se të paktën në ndeshjen me Lushnjën, e cila do të luhet të shtunën në “Selman Stërmasi”, kapiteni i bluve, Erxhan Muça, nuk është i skualifikuar me tre kartonë të verdhë. Më saktë gjendja e kartonëve të Dinamos në tre javë kampionati është si më poshtë: Duqi (2), Rexhepi (1), Turdiu (2), Tragaj (1), Lamellari (1), Ferraj (2), Muça (2), Thana (1), Arifaj (1) dhe Shkalla (1).
Në këto kushte, gjendja e kartonëve të verdhë është alarmante. Sipas Saliajt skuadrës i është kërkuar më shumë qetësi dhe vetëpërmbajtje dhe atëherë kur gjyqtarët e japin gabim një diçka kundër Dinamos. “Të them të drejtën, – thotë Saliaj për “Gazeta e Sportit”, – është problematike kjo situatë. Por si unë, ashtu dhe trajneri i kemi folur lojtarëve, që duhet të jenë më të qetë. Jemi nën “shënjestrën” e gjyqtarëve, të cilët nuk e kursejnë kartonin ndaj Dinamos. Dhe kjo nuk është aspak normale.”
“Megjithatë ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën në ndeshjet në vazhdim, sidomos në ndeshjen me Lushnjën. Për momentin i vetmi problem është Thana, që ka pësuar një dëmtim në ndeshjen me Sopotin. Megjithatë ai sot del në stërvitje dhe do ta shohim nëse do të jetë për ndeshjen me Lushnjën të shtunën”, – ka përfunduar administratori i bluve kryeqytetas, Ismet Saliaj.