Gjergj Vyshka 16.01.2015 14:25
Ervis Kaja, qendërmbrojtësi i Apolonisë, dje ka nisur stërvitjen me Dinamon. Drejtuesit e bluve, të paktën edhe sipas administratorit Ismet Saliaj, janë të interesuar për të, edhe pse lojtari aktualisht është nën kontratë me skuadrën fierake. Në Kategorinë Superiore, Kaja ka luajtur 14 ndeshje me Apoloninë të barasvlershme me 1163 minuta lojë. Kaja ka luajtur me Dinamon në sezonin 2011-2012.
Dhe nëse Turtulli nuk do të lejohet nga Teuta, pavarësisht se deri më tani është në stërvitje me blutë dhe ka luajtur si titullar ndaj Kamzës, atëherë Kaja do të jetë një alternativë shumë e mirë për të qenë në qendër të mbrojtjes së bluve me Shkallën. Kaja në karrierën e tij ka luajtur me Besën, Laçin, Tomorin, Tiranën. Ndërkohë drejtuesit ende nuk kanë vendosur për Shazivarin.
Ky i fundit ka luajtur 10 ndeshje me Elbasanin, 8 prej të cilave si titullar, që do të thotë 718 minuta me verdheblutë. Dhe tashmë kjo është dilema, Kaja apo Shazivari? “Në fakt, – thotë Saliaj, – Kaja ka ardhur në stërvitje dhe ka biseduar me trajnerin. Ka dashur të kontaktojë me mua, por unë kam qenë i padisponueshëm. Sigurisht që na leverdis, ndërsa shpresojmë që me Apoloninë ta zgjidhim me konsensus.”
“Ndërkohë do të vendosim dhe për Shazivarin, që në fakt është mbi peshë”, – ka përfunduar administratori Ismet Saliaj.