Gjergj Vyshka 18.10.2014 10:05
Administratori Saliaj ka mbajtur fjalën, ndërsa u ka dhënë lojtarëve atë që u takon. Blutë i japin dorën e fundit përgatitjeve, në stërvitje dhe Tragaj e Duqi gati për lojë. Dinamo i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve, teksa tashmë është gati për ndeshjen që do të luajë sot ndaj Sopotit në “Nexhip Trungu” të Cërrikut. Blutë e Mehmetit tashmë kanë gjetur motivimin e duhur për të marrë maksimumin nga kjo sfidë, sepse administratori Saliaj ka mbajtur premtimin e dhënë, duke u dhënë lojtarëve pagat e prapambetura.
Tashmë është radha e lojtarëve që të bëjnë më të mirën e tyre në sfidën ndaj librazhdasve, gjithnjë nëse duan që të vazhdojnë të shpërblehen, sepse ka të ngjarë që ashtu sikurse në Gjirokastër edhe pas ndeshjes me Sopotin të marrin shpërblim. Në stërvitje tashmë janë kthyer dhe Tragaj e Duqi, të cilët kanë shtuar radhët në skuadër, ndërsa 18-shja e bluve kryeqytetas ndaj Sopotit është gati për të hedhur në fushë formacionin më të mirë.
Dinamo ka parashikuar skemën taktike 4-2-3-1, që do të thotë: Lamellari – Arifaj, Rexhepi, Shkalla, Tafaj – Thana, Muça – Rezi, Capa, Ferraj – Turdiu. Por në momentet e fundit mund të ketë dhe lëvizje të tjera në formacion, duke qenë se Duqi e Tragaj janë të gatshëm për lojën. Dinamo e ka lënë që të niset sot në mesditë drejt Cërrikut, ndërsa administratori i bluve, Ismet Saliaj, ndihet mirë që ka mbajtur fjalën dhe ka dhënë atë që kishte premtuar ditë më parë, teksa bëhej fjalë për dhënien e rrogave të prapambetura.
“Tashmë unë u kam dhënë diçka paradhënie lojtarëve. Pres që ata të bëjnë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por jemi në gjendje për ta nxjerrë me sukses atë. Sepse unë i di aftësitë e lojtarëve blu”, – ka thënë shkurtimisht Saliaj, kurse blutë do të shoqërohen dhe nga tifozët në Cërrik. Dinamo ka nevojë për të ruajtur hapin e kryesuesve, gjithnjë duke marrë trepikëshin ndaj Sopotit. Sepse sa vijnë dhe vështirësohen ndeshjet, ndërsa në javën e ardhshme Dinamo do të ketë një përballje rivalësh me Lushnjën në Tiranë. Ndaj nevojitet dhe fitorja me Sopotin në vizitën cërrikase.