Gjergj Vyshka 28.10.2014 10:40
Dinamo e ka nisur javën e saj përsëri në kalçeto. Edhe pse shpresonte që duke marrë orarin e stërvitjes së Kukësit, në ora 13:00, kur verilindorët kishin vendosur që përgatitjet e ndeshjes me Vllazninë t’i zhvendosnin në stadiumin “Zeqir Ymeri”, atje ku dhe luhet ndeshja të mërkurën, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kukësianët kanë zbritur në fushën e stërvitjes, ndërsa blutë kanë qenë të detyruar të shkojnë në fushat e minifutbollit të kompleksit të Pishinave të Akuadromit.
Gjatë ditës së djeshme në ish-kompleksin Dinamo ka vazhduar Kupa “Coca-Cola”, një organizim i Federatës Shqiptare të Futbollit me shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit. Dhe në fakt në ora 11:00 ka qenë prezent dhe Sopoti, i cili e ka kaluar ditën me vrap rreth kodrave të Liqenit. “Duhet të dini që ora 13:00 nuk ka qenë orari ynë i stërvitjes, – ka thënë administratori i bluve, Ismet Saliaj. – Ne menduam të përfitonim nga fakti që Kukësi do të mund të shkonte të bënte stërvitje në qytetin e vet, duke qenë se do të luajë të mërkurën.”
“Por nuk ka ndodhur një gjë e tillë, – ka vijuar ai. – Ndaj dhe shkuam në kalçeto. Lojtarët bënë vrap te kodrat e Liqenit dhe më pas tek kalçeto. Kjo është historia jonë e dhimbshme.” Ndërkohë në ndeshjen e së shtunës me Tomorin në Berat do të mungojë mbrojtësi i majtë Duqi, i cili ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë. Që do të thotë se gjatë gjithë javës Mehmeti duhet të punojë për të gjetur një alternativë, që mund të jetë Arifaj, por dhe Imami, duke kërkuar alternimin me mesfushorin e majtë Ferraj.
Sakaq fitorja e së shtunës me Lushnjën, por dhe kërkesa e trajnerit Mehmeti për më shumë mbështetje nga tifozët, ka ngrohur këto të fundit, ndërsa grupimi i tifozëve “Blue Boys” po përgatiten që të jenë në Berat në mbështetje të skuadrës. Sepse ata besojnë në kauzën e Dinamos në Kategorinë Superiore pas tre vjetësh rropatjeje në Kategorinë e Parë.