Gjergj Vyshka 13.12.2014 11:35
Mesfushori i majtë i bluve nuk e ka mendjen tek lëvizjet e futbollistëve në dimër: “Për humbjen në Pogradec e kemi pas fajin vet, sepse kemi humbur shumë raste për shënim”. Dinamo u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve të saj për ndeshjen e radhës, që do ta luajë sot në “Selman Stërmasi” përballë Luftëtarit. Sipas mesfushorit të majtë, Eni Imami, Dinamo e ka në dorë vetë për të bërë çdo gjë mirë dhe për të kapur përsëri vendin e parë, i cili do t’i japë më pas dhe ngjitjen në Superiore.
“Së pari, – thotë Imami, – më duhet të them se faji për humbjen ndaj Pogradecit është krejtësisht i yni. Në pjesën e parë kemi humbur raste të pastra, të cilat nëse do të ishin kthyer në gol, atëherë do ta kishim trepikëshin të sigurt. Nuk duhet të harroni që unë kam shënuar dy gola, njëri prej të cilëve nuk m’u quajt nga gjyqtari. Megjithatë jemi të përqendruar plotësisht për ndeshjen me Luftëtarin. Edhe pse kemi fituar në fazën e parë ndaj gjirokastritëve nuk do të jetë e lehtë.”
“Por nëse kam shënuar dy gola deri më tani, të tjerë do të vijoj të bëj, – ka vijuar ai. – Madje nëse shënoj ndaj Luftëtarit, goli do të jetë për tifozët. Jo vetëm kaq, duke qenë se kemi marrë një pikë në tre ndeshje, tashmë është koha për fitore. Dhe kjo varet vetëm nga ne.” Dinamo deri më 20 dhjetor ka tre ndeshje. Sot pret Luftëtarin, të mërkurën shkon në Kuçovë dhe të shtunën e ardhshme pret Sopotin dhe Imami e pranon se kalendari është i vështirë.
“Janë tre ndeshje prej të cilave ne duhet të marrim pikët maksimale, sepse vetëm kështu mund të kthehemi në krye të renditjes. E theksoj dhe një herë, gjithçka varet nga ne. Nuk mund të flas tani për lëvizjet e dimrit, sepse mendjen e kam tek nxjerrja me sukses e tre ndeshjeve të fundit të këtij viti. Dinamo duhet të jetë në vendin e parë dhe asgjë më shumë”, – ka përfunduar Imami, në një kohë që blutë janë me formacion të plotë në këtë sfidë me gjirokastritët dhe pa asnjë mungesë.