AlbanianSport.com 15/09/2018 20:40
ASNN – Dinamo ka mundur Besëlidhjen 2-0 në ndeshjen e javës së dytë të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Pas dy javëve të para skuadra e trajnerit Igli Allmuça është në kuotën e 6 pikëve në renditjen e grupit A. Vendasit janë më kërkues që në fillim të takimit teksa rrezikojnë që në minutën e 9-të, kur Rei Nuriu brenda zonës nuk arrin të prekë topin e ardhur nga një harkim.
Në fakt janë disa lojtarë dinamovitë që kërcejnë në zonë por asnjëri prej tyre nuk arrin ta prekë e ta dërgojë më pas topin në rrjetë. Më pas është Prendi që gjuan bukur me të majtën por portieri e largon topin në goditje këndi. Këmbëngul Dinamo me një sulm të gjatë, por futbollistët kryeqytetas nuk janë të saktë e kështu iu japin mundësinë miqve nga Lezha të largojnë topin nga zona.
Minuta e 15-të, tjetër sulm i gjatë i Dinamos, largojnë mbrojtësit e Besëldihjes, por topi përfundon te Selimaj. Ai provon me një goditje nga jashtë zone, por pa sukses, topi kalon mbi shtyllën horizontale. Në të 24-ën minutë është Kristian Prendi që finalizon një ndër sulmet e shpeshta të dinamovitëve. Pas topit të ardhur nga e djathta e sulmit, Prendi me zgjuarsi e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0 për Dinamon.
Me këtë rezultat mbyllen 45 minutat e para. Edhe në pjesën e dytë, Dinamo ka inisiativën, ndërsa sulmet e Besëlidhjes thyhen para zonës së mbrojtur nga kryeqytetasit. Por në këto minuta që flasin për Dinamon, vjen edhe momenti I 11-metërshit. Në një nga sulmet e rralla të miqve, Dollani depërton brenda zonës, provon të kalojë portierin Laço, pengohet nga ky i fundit dhe gjyqtari Ziri jep 11-metërsh.
Është Pasha që nga pika e bardhë gjuan dhe shënon në minutën e 72-të. Por gjyqtari e anulon golin pasi disa futbollistë kanë hyrë brenda në zonë para kohe. Edhe njëherë Pasha nga pika e bardhë, por këtë radhë Laço i thotë “jo” golit, duke e grushtuar topin. Në këtë mënyrë porieri dinamovit korrigjon atë gabim që bëri në shkaktimin e 11 -metërshit.
Vendasit vazhdojnë sulmet e tyre dhe në të 82-ën minutë, është Çema që depërton nga e majta brenda zonës së Besëlidhjes, por gjuajtjen e tij e largojnë më pas mbrojtësit. Tre minuta para përfundimit të kohës së rregullt të takimit, Dinamo shënon edhe golin e dytë. Është Çema, që këtë radhë është i saktë, teksa fiton duelin në ajër me mbrojtësit lezhjanë dhe e dërgon topin në rrjetë.
Po të shtunën janë luajtur edhe ndeshjet e tjera në grupin A dhe B, në përfundim të të cilave u arritën rezultatet e mëposhtme:
Kategoria e Parë
Java e 2-të
Grupi A
Të shtunën:
Dinamo – Besëlidhja 2-0
Iliria Fushë-Krujë – Shënkolli 3-1
Korabi Peshkopi – Erzeni Shijak 1-0
Veleçiku Koplik – Vora 2-1
Të dielën:
Burreli – Vllaznia ora 16:00
Grupi B
Të shtunën:
Pogradeci – Tomori 0-1
Bylis – Turbina Cërrik 2-0
Elbasani – Egnatia Rrogozhinë 1-2
Lushnja – Oriku 1-0
Të dielën:
Besa – Apolonia ora 16:00