Adriatik Balla 15.08.2015 14:20
Dinamo e Zagrebit, kundërshtarja e Skënderbeun në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, këtë të shtunë do të presë në stadiumin “Maksimir” RNK Split, skuadër e cila mban kreun e renditjes dhe që ka në radhët e saj ish-mbrojtësin e Partizanit, Amir Rrahmanin. Trajneri i Dinamos, Zoran Mamiç, i pyetur në lidhje me sfidën e Elbasan Arenës ndaj kampionëve të Shqipërisë, kujtoi se më parë duhet të mendojë për të mundur RNK Splitin.
“Kemi një ndeshje shumë të vështirë, sepse do të përballemi me skuadrën kryesuese, – ka thënë ai. – RNK Spliti është kundërshtar shumë i fortë, ndaj duhet shumë kujdes për të marrë fitoren. Ne synojmë tre pikët, që të shkojmë më të qetë në Shqipëri për takimin me Skënderbeun.” Sa i përket gjendjes së skuadrës, trajneri 43-vjeçar i kampionëve të Kroacisë tha se, për arsye dëmtimi, nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Shildenfeld, mesfushorin Paviçiç dhe sulmuesin Radonjiç.
Ndeshja e parë midis Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit do të luhet në “Elbasan Arena” më 19 gusht dhe kjo përplasje është domethënëse në veçanti për ekipin “kampion” të Shqipërisë, sepse do të shohë nivelin në krahasim me kampionen e Kroacisë, një rival që ka një përvojë të madhe në Kupat e Evropës.