AlbanianSport.com 25.08.2015 22:50
ASNN – Skënderbeu mbylli me një humbje aventurën e saj në Ligëne Kampioneve. Në ndeshjen e kthimit të play off-ve të Ligës së Kampionëve, korçarët u mundën 1-4 në “Maksimir” të Zagrebit përballë Dinamos, duke u eliminuar me rezultatin e përgjithshëm 2-6. Skënderbeu vinte në këtë takim pas humbjes 2-1 në “Elbasan Arena” me shpresën e një mrekullie, por kroatët i shuan menjëherë ëndrrat e skuadrës së trajnerit Mirel Josa. Kampionët e Shqipërisë nuk arritën të bënin përmbysjen edhe pse gjatë pjesë së dytë vendasit luajtën me 10 lojtarë për shkak kartonësh.
Ndryshe nga shtatë ditë më parë, sonte Skënderbeu e pësoi e para golin dhe, ndonëse arriti të rifutej në lojë, pa u mbyllur ende çerekorëshi i parë i lojës, kroatët gjetën sërish golin e epërsisë. Korçarët e nisin mirë dhe mundohen të tregohen agresivë që në fillim. Ndeshja nisi vrullshëm dhe, në minutën e 9-të Sudani i kaloi në epërsi vendasit. Gëzimi i lojtarëve të Dinamo zgjati vetëm pak sekonda, pasi Eskerdinja duke shfrytëzuar vendosjen e gabuar të mbrojtes kroate dhe një devijim të portierit portugez të vendasve, e përcjell topin në rrjetë për golin e barazimit.
Vendasit nuk pajtohen me rezultatin dhe Hoxhiç shënoi përsëri për Dinamon, pas një çerekore lojë. Rastet më të rrezikshme më pas i pati Skënderbeu me Radasin dhe Lilajn. Nga ana tjetër, kroatët rrezikuan me Sudanin, padiskutim më i miri në fushë. Pjesa e dytë nisi keq për vendasit, pasi Gonsalo Santos u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari italian, Roki. Skënderbeu rrezikoi përsëri portën e mbrojtur nga Eduardo, por, nga ana tjetër, duke harruar mbrojtjen dhe Taravel shënoi golin e tretë për Dinamo në minutën e 55-të.
Zëvndësimet e Josës nuk ndryshojnë në gjë në lojën e Skënderbeut. Hristov, Nimaga dhe Olajinka nuk i japin freski sulmit përballë një kundërshtari që nuk dukej aspak se po luante me 10 lojtarë. Madje në minutën e 80-të, Sudani i jep fund gjithçkaje për Skënderbeun, duke shënuar golin e katërt. Kështu, “kampionia” e Shqipërisë mbërriti vetëm një hap larg fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, por tani do të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës dhe kundërshtarët do t’i njohë të premten duke u bërë ekipi i parë shqiptar, që merr pjesë në këtë turne.