Gjergj Vyshka 04.03.2015 07:00
Trajneri i përkohshëm: “Nëse do të jem unë trajner më tej, apo një tjetër, kjo është çështje e drejtuesve e nuk varet nga asgjë”. Kthehen në formacionin blu Rexhepi e Tragaj, Dinamo kërkon të pamundurën në Sarandë. Rodenc Asllani, që deri dje ishte ndihmësi i Dritan Mehmetit, sot do të ketë provën e tij të parë si trajner i skuadrës me 18 tituj “kampion” në Shqipëri dhe 15 Kupa të Shqipërisë. Sigurisht që është një provë e vështirë jo vetëm për të si trajner, por dhe për të gjithë skuadrës, sidomos pas asaj rrëshqitjeje këmbe me Bylisin, që kështu e ka nxjerrë Dinamon nga loja për në Superiore.
Jo vetëm kaq, por duke parë dhe renditjen e Grupit të Jugut në Kategorinë e Parë, sot Dinamo është në vallen e atyre që kërkojnë mbijetesën, sepse është vetëm 6 pikë larg Shkumbinit të vendit të fundit. Dhe në këto kushte, çdo hap i gabuar duke nisur që nga ndeshja me Butrintin, ndërsa është e qartë që skuadrat që janë poshtë Dinamos në renditje do të kërkojnë “t’i hanë kokën” pikërisht skuadrës blu, kushton shumë shtrenjtë për vazhdimësinë e garë. Dhe duke e ditur shumë mirë këtë situatë, administratori Ismet Saliaj ka bërë një mbledhje 10-minutëshe përpara stërvitjes për të shkundur skuadrën.
Madje këtë gjë individualisht e ka bërë dhe trajneri Asllani me të tijtë, ndërsa shpreson që karakteri i lojtarëve, por dhe përvoja e fituar duke luajtur më së shumti në skuadra të Kategorisë Superiore t’i japi frytet e veta në kthesën e rezultateve. Pse jo duke nisur që nga Butrinti. “Sigurisht që nuk është një situatë normale në të cilën ne ndodhemi, – ka deklaruar ai. – Kemi tre mungesa në këtë ndeshje për shkak të kartonëve. Por besoj që pjesa e lojtarëve, të cilët do të luajnë në fushë të japin më të mirën e tyre. Nuk ka shumë nevojë për motivim, megjithëse unë kam folur me futbollistët. Besoj tek forca e përvoja e tyre që kanë fituar duke luajtur me skuadra të tjera.”
“E dimë që do të kemi një kundërshtar të vështirë në renditje, i cili është në vendin e dytë dhe shpreson të ngjitet në Superiore. Megjithatë ne do të bëjmë më të mirën tonë për ta nxjerrë me sukses këtë ndeshje”, – ka theksuar trajneri i bluve në përballjen me Dinamon, Rodenc Asllani. A do të jetë, apo jo ai trajneri i Dinamos në vazhdim? “Unë nuk besoj se gjithçka varet nga ecuria e kësaj ndeshje. Ajo është çështje e drejtuesve. Ne jemi këtu për të vazhduar punën dhe për të bërë më të mirën për Dinamon”, ka përfunduar Asllani.