Gjergj Vyshka 08.01.2015 07:55
Dinamo nga pesë në tre, ndërsa numri i kërkesave për të marrë si përforcime në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër duket se ka ardhur në zbritje. E kjo jo për shkak të mundësive apo dëshirës së bluve, por sepse të gjithë lojtarët që Dinamo deshi janë nën kontratë. Gjithçka nis nga Bruno Dita, mesfushori që është jo vetëm nën kontratë me Teutën, por mbi të gjitha është dhe pjesë e formacionit të skuadrës së Gentian Begesë. Madje është dhe shënues golash.
“Parë kështu, – thotë administratori Saliaj, – edhe pse është dëshira e lojtarit, tek Teuta është e vështirë që ta lëshojnë. Ne kemi folur dhe personalisht me presidentin e Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili na ka shpjeguar situatën në të cilën ndodhet Dita, teksa është titullar i padiskutueshëm. Vetëm nëse gjërat në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër do të jenë të mira për Teutën, gjithnjë edhe sipas bisedës që ne kemi pasur me Hasanbelliun, atëherë Dita do të jetë i yni.”
Sakaq dinamovitët kanë humbur dhe shanset për të pasur të tyrin mesfushorin e majtë të Tërbunit, Bedi Greca. Lojtari edhe pse kishte përfunduar kontratën e tij me pukjanët në fund të dhjetorit, të paktën edhe sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, ka rinovuar përsëri. Mirëpo nga pesë lojtarë të parashikuar në fund të dhjetorit për të ardhur tek blutë, tre duket se mund të jenë për skuadrën e Dritan Mehmeti. I pari ka dalë në stërvitje dje me Dinamon, ndërsa është fjala për Marvin Turtulli.
“Turtulli, – thotë Saliaj, – duhet të rregullojë dhe dokumentacionin me durrsakët dhe më pas të vazhdojë të aktivizohet me ne. Por e rëndësishme është se do të jetë pjesë e jona, ndërsa themi që edhe pas bisedave që do të bëjmë me drejtuesit e Teutës do ta kemi tonin. Është një pikë e rëndësishme për mbrojtjen tonë.” Ndërsa në fund, administratori Saliaj ka sqaruar: “Me Xhafajn është thjesht bërje e procedurës së marrjes së kartonit nga SHBA”.