Gjergj Vyshka 08.01.2015 15:15
Administratori Saliaj: “Me Xhafajn është thjesht bërje e procedurës së marrjes së kartonit nga SHBA”. Daniel Xhafaj tek Dinamo, por tashmë duket se është vetëm çështje letrash.
Në momentin që është larguar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sulmuesi i njohur ka firmosur kontratën me skuadrën Nju Jork Albania pas të cilave ka siguruar dhe të gjitha dokumentet që e bëjnë atë të jetë i qetë në një kohë të ardhme për të jetuar në shtetin përtej Oqeanit.
“Tashmë, – thotë Saliaj, – duhet të bëjmë kërkesën për klubin amerikan që të na sjellë kartonin e lojtarit, ndërsa për një muaj që nis pjesa e dytë e sezonit të Kategorisë së Parë mendoj se do ta kemi në fushë Xhafajn.”
“E kam thënë dhe herë të tjera, përforcimet që do të vijnë në këtë periudhë për Dinamon duhet të jenë të gjithë të nivelit të Kategorisë Superiore, – ka theksuar ai. – Për dhjetë ditë kemi planifikuar që së bashku me trajnerin Mehmeti të bëjmë dhe prova për ato lojtarë, të cilët kërkojnë të shihen.”
“Sepse mund të jetë e mundur që të dalë ndonjë kokërr e domosdoshme për skuadrën tonë. Shpresojmë që të gjejmë lojtarët e domosdoshëm”, – ka përfunduar administratori i Dinamos, Ismet Saliaj.