Gjergj Vyshka 27.11.2014 17:40
Mesfushori i bluve: “Fusha e Ballshit ishte cilësore dhe nëse do të ishim treguar më të saktë mund dhe të kishim fituar”. Duke mbetur tek sfida me ballshiotët, Arbër Capa, shënuesi i golit të vetëm në të bluve në “Adush Muça”, pranon fajin në emër të gjithë dinamovitëve. “Nuk kemi pse të ankohemi, ndërsa gabimet duhet t’i kërkojmë tek vetja, – ka pohuar ai. – Kemi luajtur në një fushë cilësore dhe si e tillë na ka lejuar të shprehemi me të gjitha cilësitë më të mira që kemi si skuadër.”
“Kemi pasur pjesën e parë një mori rastesh për shënim prej të cilave do të dilnin jo një gol, por disa të tillë dhe sot do të ishim përsëri në krye, sepse do të dilnim fitues nga Ballshi, – ka vijuar futbollisti i bluve. – Sigurisht që vendësit kanë luajtur dhe rëndë. Por jemi dëmtuar dhe nga dalja e Turdiut me karton të kuq. Megjithatë ato minuta duhet t’i kishim administruar ndryshe, sepse edhe barazimi na linte përsëri në krye.” Pa dy lojtarë kryesor, a është e vështirë me Butrintin?
Kjo është pyetja që Gazeta e Sportit i ka bërë mesfushorit, i cili është përgjigjur: “Sigurisht që është e vështirë. Por ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë dhe ta nxjerrim me sukses këtë ndeshje, sepse vetëm kështu do të mund të jemi përsëri kryesues të grupit të Jugut. Nuk ka asgjë të pamundur dhe në lojë do të jemi për tri pikët. Ndeshje e vështirë, por nuk mund të themi që është e pakalueshme në fushën tonë”, – ka përfunduar futbollisti i Dinamos, Arbër Capa.