Gjergj Vyshka 06.11.2014 19:55
Mesfushori Arbër Capa vijon të jetë i dëmtuar, ndërsa është me kaviljen e djathtë të lidhur. Por jo vetëm kaq, por vazhdon seancat e fizioterapisë te mjeku i kombëtares së madhe, Ylli Mihali. “Shpresoj shumë, – thotë Capa, – që unë të jem të shtunën në fushë. Jam i ndërgjegjshëm që për arsye të kartonëve mungon Ferraj, ndërsa një mungesë e imja do të ishte shumë për skuadrën.”
“Jam duke bërë të gjitha përpjekjet që të jem të shtunën në fushë, ndërsa deri më tani kam kryer vetëm vrapime, – ka vijuar ai. – Nëse ende nuk jemi në gjendjen tonë maksimale, kjo është dhe për arsye terreni. Mos harroni që dy ditë në javë ne jemi në fushë minifutbolli, e cila nuk është normale për një skuadër futbolli. Më pas orari i papërshtatshëm në të cilën stërvitet Dinamo është një tjetër minus.”
“Megjithatë ne besojmë se do t’ia dalim me Shkumbinin, që në fakt, edhe pse ndodhet në një pozicion të vështirë në renditje, përsëri është skuadër e vështirë, – ka theksuar mesfushori i bluve. – Do të ishte kënaqësi e madhe për ne nëse do të kishim tifozë të shumtë në stadium”. Sa për kureshtje të lexuesit, Dinamo pret në fushën e vet Shkumbinin dhe Butrintin, si dhe luan në transfertë me Bylisin dhe Pogradecin.
Dhe pyetjes se ku e mendoni skuadrën tuaj në fund të fazës së parë, aq më tepër që kanë mbetur dhe katër javë, ai i është përgjigjur: “Ne mendojmë që do të jemi kryesues të grupit të Jugut. I kemi të gjitha shanset për ta bërë një gjë të tillë. Vetëm na duhet dhe fati, sikurse mua më mungon dhe goli. Shpresoj që të fitojmë me Shkumbinin dhe unë të kthehem tek goli”, – ka përfunduar Capa