Gjergj Vyshka 01.03.2015 18:20
“Sigurisht që nuk është normale për një skuadër si Dinamo që të mos stërvitet normalisht në shtëpinë e saj, – ka deklaruar trajneri i bluve kryeqytetas, Dritan Mehmeti, duke folur pas humbjes me Bylisin. – Megjithatë më duhet të them që skuadra e ka pasur goditjen psikologjike të heqjes së pikëve. Goli i parë i miqve i ka prishur ekuilibrat e më pas skuadra e ka pasur të vështirë të reagojë. Më duhet të falënderoj lojtarët për atë që kanë dhënë, tifozët për mbështetjen.”
“Por nëse jam unë e keqja e Dinamos, atëherë më duhet të them që do të shoh pozicionin tim, sepse për këtë humbje përgjegjësitë janë të miat, – ka vijuar ai. – Nuk është normale kur në një situatë të tillë edhe gjyqtarët i kemi kundër duke na ndëshkuar me kartonë të verdhë e të kuq. Por nuk dua të shfajësohem. Përkundrazi kam punuar për dy vjet me mish e shpirt në kushtet e vështirësive maksimale dhe më vjen keq që jemi në këtë pikë.”
“Në këto kushte do të bisedoj me drejtuesit dhe do të shoh pozicionin tim. Ndoshta një tjetër mund ta bëjë dhe më mirë punën me Dinamon”, – ka përfunduar trajneri Mehmeti. Ndërkaq, trajneri i Bylisit, Roland Nenaj, është i bindur se tashmë skuadr e tij shkon më e sigurt drejt Kategorisë Superiores. “E kishim përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë ndeshje, sepse e dinim që do të ishte shumë e vështirë përballë Dinamos”, – ka deklaruar ai.
“Terreni i mirë na ndihmoi për ta luajtur më mirë lojën tonë dhe jam i kënaqur që kemi marrë fitoren. Nuk e di se si do të shkojë çështja e heqjes së pikëve për Dinamon, por kështu mendoj se kemi eliminuar një kundërshtar direkt për në Superiore. Do të vazhdojmë luftën ndoshta me Lushnjën, por ne jemi të sigurt në kthimin tonë në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar trajneri i Bylisit, Roland Nenaj.