AlbanianSport.com 08.10.2014 08:45
Dinamo e Dritan Mehmetit duket se të gjithë këtë javë do të jetë e “abonuar” në fushat e kalçetos së pishinave. Dhe kjo jo me dëshirën e bluve dhe as për t’iu shmangur shiut, që ka pushtuar këto ditë të gjithë rajonin e vendit. Por sepse fëmijët gjatë gjithë paradites janë “pushtuesit” e fushës me bar artificial të ish-kompleksit Dinamo, që tashmë administrohet nga Agjencia e Shërbimit të Sporteve.
Dhe bëhet fjalë jo thjesht për një kampionat shkollash, por për Kupën “Coca-Cola”, e cila është duke u organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në të gjithë vendin. Në fakt kjo mbyllje e skuadrës blu, edhe për shkak të problemeve që ka pasur në ndeshjen ndaj Naftëtarit, nuk është e mirë.
Sepse skuadra që të rikuperojë të gjitha problemet e saj taktike, sidomos në aspektin e lëvizjes së mesfushës në ndihmë të mbrojtjes dhe të sulmit, apo të shfrytëzimit të krahëve dhe më pas dhe orientimit të lojtarëve në lëvizjen pa top, ka nevojë për fushën e madhe.
Administratori i bluve, Ismet Saliaj, ka treguar se do ta diskutojë këtë çështje me drejtorin e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, tashmë për një orar ndryshe në fushën e stërvitjes. Deri më atëherë, apo dhe deri në përfundim të Kupës “Coca-Cola”, e cila mbyllet në fund të javës, Dinamo do të vazhdojë të jetë e “abonuar” në fushat e minifutbollit të kompleksit të pishinave.