Gjergj Vyshka 24.12.2014 07:25
Bruno Dita, Marvi Turtulli, Antonio Marku, Daniel Xhafaj dhe Bedri Greca në planet e bluve. Dinamo ka shpallur zyrtarisht listën e të preferuarve në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Të paktën janë emra që më shumti janë në dëshirën e administratorit të bluve, Ismet Saliaj, i cili edhe për shkak të mbrëmjes “gala” të Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka mundur të takohet me trajnerin e Dinamos, Dritan Mehmeti.
Por është e sigurt se me emrat që ka bërë të ditur dje për “Gazetën e Sportit” administratori Saliaj edhe trajneri i bluve, Mehmeti, do të jetë dakord, ndërsa bëhet fjalë për ndërtimin e një skuadre solide të aftë për t’u ngjitur në Superiore. Por cilat janë emrat që Dinamo preferon në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër, të cilat më së shumti janë edhe me pëlqimet e administratorit të bluve, Ismet Saliaj. I pari është lojtar i Teutës në Kategorinë Superiore, por që ka dalë nga akademia e Dinamos.
Është fjala për lojtarin shumë funksional Bruno Dita, i cili në 18 javët e para të këtij sezoni, jo vetëm që ka qenë pjesë e formacionit titullar të Teutës, por dhe ka shënuar për “Djemtë e detit” tre gola, i fundit në ndeshjen ndaj Tiranës. I dyti është fjala për qendërmbrojtësin Marvi Turtulli, një njohje e vjetër e Dinamos, ndërsa ka qenë pjesë e skuadrës në sezonin 2013-2014, atje ku pat shënuar dhe 5 gola. Por kërkoi të rritej në nivelin e tij dhe ishte pjesë e Teutës në Superiore.
Megjithatë, deri më tani, të paktën edhe sipas informacioneve që kanë dinamovitët, nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje. Çka jep mundësinë që të kërkohet dhe të luajë më shumë si titullar në skuadrën blu. I treti një tjetër njohje e vjetër e Dinamos, jo vetëm se ka qenë disa sezone më parë pjesë e skuadrës së të rinjve, që në atë kohë drejtohej prej trajnerit aktual të bluve, Dritan Mehmeti, por sepse ka luajtur dhe me të rriturit.
Dhe është fjala për Antonio Marku, një mbrojtës tërësisht shkodran, sepse ka dalë më parë nga ekipet e moshave të Vllaznisë, por që nuk është preferuar nga trajneri italian Raineri. I katërti, si rrallëherë, vjen nga kryesuesit e grupit të Veriut, Tërbuni. Pikërisht është fjala për Bedri Grecën. Dhe në fund, gjithnjë nëse do të realizohet, “qershiza mbi tortë” e tregut të lëvizjeve të futbollistëve në dimër do të jetë sulmuesi Daniel Xhafaj.
E me të gjitha këto, ndërsa koha në dispozicion është e bollshme për të bindur lojtarët dhe drejtuesit e skuadrave ku ata janë për t’i lënë të lirë për të ardhur tek Dinamo, blutë do të formojnë atë skuadër që do të bëjë të mundur ngjitjen e tyre pas tre vjetësh mungesë në Kategorinë Superiore.