Gjergj Vyshka 07.03.2015 08:15
Sërish mungesa në formacionin blu, Capa e Shazivari të pezulluar për shkak të kartonëve. Dinamo është në kërkim të vendit të pestë në renditje, sepse në fazën e tretë do të ketë më shumë ndeshje në shtëpi se sa në fushë të huaj. Ky është dhe qëllimi kryesor që blutë kanë për ndeshjen e radhës, atë me Pogradecin, të cilën do ta luajnë në Pezë-Helmës, sot në ora 15:00.
Mirëpo edhe në këtë ndeshje, blutë do të jenë me mungesa, sepse Capa e Shazivari në ndeshjen ndaj Butrintit në Sarandë kanë marrë kartonin e tyre të tretë të verdhë. Sidoqoftë, duket sikur forcat e bluve kompensohen me kthimin e Tafajit, Turdiut dhe Thanës. Dhe trajneri i bluve, Rodenc Asllani, mbi bazën e forcave të gatshme në skuadër ka ndërtuar dhe formacionin anti-Pogradec, i cili do të jetë me skemën taktike 4-1-4-1.
Që do të thotë: Kotorri – Tafaj, Thana, Shkalla, Rexhepi – Allmuça – Tragaj, Arifaj, Ferraj, Imami – Turdiu. Mundet të jetë dhe me 4-1-3-2, ndërsa përkrah Turdiut në sulm do të jetë Rezi. Megjithatë mbetet gjithçka për t’u zgjidhur në fushën e lojës, ndërsa edhe vetë trajneri Asllani e ka pranuar që Pogradeci është kthyer në një makth për blutë për të mos thënë në një “mace e zezë”.
Ndërkohë administratori i bluve, Ismet Saliaj, ka deklaruar se çështjen e trajnerit e kanë lënë që ta diskutojnë pas përfundimit të ndeshjes me Pogradecin. Sepse ndoshta blutë kërkojnë të shohin pozicionin në fund të fazës së dytë, si dhe mundësitë që do të ketë Dinamo për të sulmuar e për të kapur Kategorinë Superiore. Tashmë vëmendja është kalimi me sukses i ndeshjes me Pogradecin për të mos e quajtur më këtë kundërshtar si “mace e zezë” e bluve.