Gjergj Vyshka 28.02.2015 08:05
Dinamo e Dritan Mehmetit, dje paradite në fushën me bar artificial të ish-kompleksit blu, i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Bylisin. Është një takim i rëndësishëm për blutë, sepse një fitore me ballshiotët do të thotë vazhdimi i rrugës për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore pas tre vjetësh mungesë.
Ajo që bie në sy është fakti se trajneri Dritan Mehmeti ka vendosur tashmë të ndryshojë skemën taktike të skuadrës. Jo vetëm ka hequr dorë nga mbrojtja me tre lojtarë, por tashmë ka vendosur që përballë Bylisit ta nisë pa Daniel Xhafajn që nga minuta e parë. Dhe vendosja e Dinamos përballë Bylisit do të jetë me skemën taktike 4-2-3-1.
Në mbrojtje, përpara Kotorrit, do të jetë Tafaj në të djathtë, Thana e Shkalla në qendër dhe Shazivari në të majtë. Si “valëpritës” të sulmeve ballshiote para tyre do të jenë Muça e Arifaj. Kurse treshja e mesfushës, e cila do të mbështesë Turdiun si sulmues të vetëm të deklaruar, do të jenë Ferraj në të djathtë, Allmuça e Imami në të majtë.
Dhe duke përfituar nga terreni fantastik i Akademisë së futbollit Internacional, atëherë Dinamo kështu kërkon jo vetëm që të bëjë një lojë të shtruar, pse jo në formën e spektaklit, por mbi të gjitha të jetë rezultative. Sigurisht që nuk do të jetë ndeshje e lehtë për dinamovitët, sepse Bylisi njihet si kundërshtar i fortë, që vjen nga tre fitore radhazi.
Por blutë janë të bindur se ia dalin dhe kështu.