Gjergj Vyshka 29.09.2014 09:35
Administratori i bluve, Ismet Saliaj, shpreson në gjetjen e gjuhës së përbashkët me ruajtësit e rregullit. Forcat e rendit të kryeqytetit nuk e kanë marrë përsipër zhvillimin e ndeshjeve në “Selman Stërmasi”. Dinamo nuk mund të gëzojë gjatë për atë fitore surprizë në transfertën e Gjirokastrës, që për javën e parë i ka dhënë kryesimin në grupin e Jugut. E vërteta është se Dinamo aktualisht është pa stadium, pasi Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka dërguar një letër që nuk merr përsipër sigurinë e ndeshjeve në stadiumin e dytë të kryeqytetit “Selman Stërmasi”. Dhe blutë janë përpara një fakti të tillë që ose duhet ta paguajnë shtrenjtë në tempullin e futbollit shqiptar, që është “Qemal Stafa”, ose duhet të gjejnë një alternativë tjetër.
Madje ngushtohet rrezja e veprimit edhe nga fakti se në Kamëz, në stadiumin e periferikëve të kryeqytetit, një tjetër komisariat i Tiranës, që është ai Nr. 5, nuk merr përsëri sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes. Dinamo këtë javë ka dy ndeshje për të luajtur në shtëpi, të mërkurën ndaj Apolonisë në Kupën e Shqipërisë dhe të shtunën me Naftëtarin për kampionat. Nëse për të parën, edhe duke e ditur se blutë nuk janë shumë të interesuar për Kupën e Shqipërisë duke llogaritur që duan të kthehen në Superiore pas tre vjetësh mungesë, ka një alternativë, ajo e luajtjes në ish-kompleksin “Dinamo”, për të dytën problemet janë shqetësuese.
Administratori i bluve, Ismet Saliaj, sigurisht i ngazëllyer nga paraqitja mbresëlënëse e skuadrës në Gjirokastër, shoqëruar dhe me një fitore të pastër, 2-0, ka treguar se shpreson ta gjejë gjuhën e përbashkët me policinë e kryeqytetit. “Ne sot do të kemi një takim me drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë për të diskutuar çështjen e stadiumit “Selman Stërmasi”, duke shpresuar se do ta gjejmë një zgjidhje, jo vetëm për kampionatin në vazhdim, por dhe për Kupën e Shqipërisë. Të gjithë e dinë se Dinamo nuk ka tifozë agresiv dhe nuk ka pse të mos luajë në “Selman Stërmasi”. Ndaj shpresoj që gjërat të jenë në favorin tonë”, – ka thënë Saliaj. Ndërkohë një alternativë mund të jetë Yrsheku, ashtu sikurse pat luajtur ndaj Kamzës më 30 prill të këtij viti.
Apo dhe ndonjë stadium në rrethinat e Tiranës. Megjithatë për të mirën e futbollit dhe tifozëve blu, Dinamo duhet të jetë e të luajë në “Selman Stërmasi”.