Gjergj Vyshka 22.01.2015 07:05
Vendoset mes shtyllave të portës blu për herë të parë pas tre vjetësh mungesë elbasanasi Elvis Kotorri. Formacioni i parë ka luajtur me hope, kurse i dyti më tepër është marrë me kundërshtarin. Dinamo fiton miqësoren e saj të parë në periudhën përgatitore dimërore, teksa dje në mesditë, në fushën me bar artificial të ish-kompleksit blu, ka mundur kryesuesit e grupit të Jugut të Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Gramshin.
Në përgjithësi ka qenë një lojë pa shkëlqim e dinamovitëve, me shumë hope dhe me një mbrojtje të sajuar për shkak të mungesës së Turtullit në qendër, i cili është grumbulluar në Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë nga trajneri Skënder Gega. Risia e formacionit të Mehmetit ka qenë vendosja e portierit Elvis Kotorri mes shtyllave të portës blu, ndërsa elbasanasi rikthehet tek dinamovitët pas tre vjetësh mungesë. Fillimisht Dinamo luajti me 3-1-4-2.
Por pas largimit të Thanës së dëmtuar dhe hyrjes së Ferrajt, blutë kaluan me një klasike 4-4-2. Që do të thotë në mbrojtje Rexhepi në të djathtë, Muça e Shkalla në qendër dhe Imami në të majtë. Në mesfushë Tafaj në të djathtë, Allmuça e Arifaj në qendër dhe Ferraj në të majtë. Kurse në sulm Turdiu e Xhafaj. E vërteta është se gramshakët me lëvizjet e shpejta të Gazmend Fuçisë dhe Ledion Koçit, të cilët nga pas kanë pasur Gogën, Andi Koçin, Latifin e Gjokën, janë bërë problematik për mbrojtjen e Dinamos.
Madje kanë pasur dhe raste për shënim, aq sa njërën prej tyre, pikërisht të Gazmend Fuçisë, Kotorri e ka pritur në hedhje e sipër. Dhe atëherë kur dukej se Gramshi po shkonte mirë vjen dhe ndëshkimi i bluve. Tafaj, ndryshe nga miqësoret e tjera, jo vetëm që ka qenë më i shpejtë në shpërthimet e tij në krahun e djathtë, por dhe ka qenë shërbyes disa herë me krosimet e tij për Turdiun e Xhafajn. Dhe në minutën e 32-të, mesfushori i djathtë pas një gjuajtje të fortë detyron mbrojtjen gramshake të shënojë në portën e saj.
Pas 7 minutash, pikërisht në pikën më të fortë të saj, Gramshi dorëzohet. As Pinari e as Mata nuk kanë qenë në gjendje të ndalin Turdiun në gjuajtjen e tij me kokë dhe 2-0. Ky ishte fundi i pjesës së parë, ndërsa ajo që vihet re është fakti se Dinamo dje ka qenë e shpejtë në qarkullimin e topit duke kërkuar hapësirat për Turdiun e Xhafajn, të cilët duhet ta godisnin portën e mbrojtur nga Saraçi. Por ajo që është e dukshme e që pranohet dhe nga trajneri Mehmeti është fakti se Xhafaj vazhdon të kthehet në qendër të mesfushës për të marrë topin.
Kjo nënkupton se ai ende nuk po shtyn dot përpara për të qenë kërcënues për portën kundërshtare. Në pjesën e dytë të dyja skuadrat kanë bërë shumë zëvendësime. Por loja ka ritëm të ulët. Madje dinamovitët, apo ato që pretendojnë të jenë titullarë të formacionit, këtu përjashtim bën vetëm portieri Lamellari, i cili është i padiskutueshëm për pozicionin e tij, kanë rënë në nivelin e kundërshtarit, aq sa janë marrë më së shumti me këmbët e kundërshtarit.
Në përfundim, Dinamo e fitoi miqësoren me Gramshin, por ka shumë për të përmirësuar.
Dinamo – Gramshi 2-0
Shënues: Tafaj 32’, Turdiu 39’
Dinamo: Kotorri, Rexhepi, Muça, Shkalla, Imami, Allmuça, Tafaj, Thana, Arifaj, Turdiu, Xhafaj. Trajner: D. Mehmeti. U aktivizuan: Ferraj, Lamellari, Shazivari, Rezi, Tragaj, Capa, Sorra, Mezini, Tako, Tahiraj, Milushi
Gramshi: Saraçi, Hima, Pinari, Mata, Selimaj, Gjoka, A.Koçi, Latifi, Goga, Le. Koçi, G. Fuçia Trajner: L. Metani. U aktivizuan: Lleshi, Paplekaj, Baholli, Xhixha, Haka, Sallata, Topalli, Çeka, Gjergji, Muholli
Gjyqtar: K. Shkurtaj (Tiranë)