Nga Gjergj Vyshka 07.04.2015 17:40
Emërimi i Faruk Sejdinit në krye të Dinamos, pas dorëheqjes së Mehmetit, dha përshtyepjen se presidenca blu e kishte marrë seriozisht ngjitjen në Superiore. Kjo ide u përforcua edhe më shumë në dy javët pasuese, atje ku blutë e kryeqytetit arritën të fitonin ndaj kundërshtarëve të fortë si Sopoti dhe Butrinti, por shpresat e tifozërisë u veniten shumë shpejt me humbjen 2-1 të skuadrës në fushë të huaj me Bylisin, në nkë ndeshje ku kryeqytetasit u akuzuan edhe për tolerim.
Tashmë diferenca me lushnjarët dhe ballshiotët kryesues në grupin e Jugut është 10 pikë dhe nuk mund të flitet më për objektivin Superiore, aq shumë të trumbetuar gjatë tregut të lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Sidomos kjo me mbërritjen e lojtarëve me eksperiencë si Daniel Xhafaj, Elvis Kotorri dhe Igli Allmuca. Dinamo është e destinuar të lëngojë në Kategorinë e Parë, të paktën edhe një sezon, sepse presidenca e klubit blu nuk mendon se ka ardhur momenti i duhur për të investuar energji për ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Gara në Grupin B të Kategorisë së Parë po zhvillohet mes Bylisit dhe Lushnjës, që kanë grumbulluar të njëjtë kuotë pikësh, 38, dhe po i fitojnë të gjitha përballjet e tyre. Në këtë grup një emër i rëndësishëm i traditës, sikurse konsiderohet Luftëtari, rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë, pasi renditet në vendin e fundit me të njëjtën kuotë pikësh me Naftëtarin. Në Grupin e Veriut vijon i pandalshëm rrugëtimi i Tërbuni të Pukës, që ka krijuar një diferencë prej 4 pikësh me Mamurrasin e vendit të dytë.
Kalendari i sfidave të mbetura e favorizon ndjeshëm formacioni e Plorit, që, edhe nëse arrin të gabojë në një takim, sërish nuk e rrezikon vendin e parë. Në këtë grup duket se Veleçiku është i destinuar të luajë një Kategori më poshtë sezonin e ardhshëm, pasi mbetet i shkëputur në fund me 6 pikë më pak se Besa.